Azeski: Shoh ligësi gjithandej! Ekonomia stabile – çmimet e karburanteve rrezik për inflacionin

Gjendja në ekonomi për momentin është stabile, nuk ka mungesë fizike të derivateve të naftës. Por, nëse çmimet e larta vazhdojnë për një periudhë më të gjatë, rreziku është që ato të reflektohen në shpenzime më të mëdha për ekonominë, presione drejt inflacionit, likuiditet më të dobët dhe pasiguri më të madhe në investime – deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, në emisionin “Biznes 21”. Sipas tij, pasiguria nga kriza e shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme është e madhe dhe nevojitet një qasje e shpejtë, e parashikueshme dhe e koordinuar mes institucioneve dhe biznesit.

“Pasojat për kompanitë do të jenë të mëdha dhe serioze nëse hyjmë në fazën e dytë, ku do të duhet të ndërmerren masa që normalisht janë jopopullore dhe do të çojnë në borxhe të reja të shtetit. E të mos flas për fazën e tretë, në të cilën në mënyrë të pakontrolluar do të shfaqeshin më shumë vatra lufte në botë. Në atë rast mendoj se ne, si shtet i vogël, shanset për të bërë diçka do t’i kishim shumë të vogla dhe do të ishim thjesht dëm kolateral”, tha Branko Azeski – kryetar i OEM-së.

Reklame

Azeski është i bindur se Qeveria do të ndërmarrë masa me kohë. Ai thotë se tri javë para se të fillonte kriza kanë ditur se çfarë do të ndodhte dhe janë marrë vesh me Qeverinë që shteti, me mekanizmat e tij, do ta mbrojë biznesin. Edhe pse paketa e masave është e njohur, ai thotë se është herët që ajo të bëhet publike.

“Kërkesat nuk mund të paraqiten ende tani, sepse do të jenë objekt analizash nga ata spekulantë dhe manipulues që duan ta shfrytëzojnë krizën. Ato normalisht miratohen sipas një procedure të paraparë. Kryesisht kanë të bëjnë me mbështetjen e kompanive eksportuese, mbështetjen e targetuar të sektorëve që janë më të goditur nga kriza dhe të popullsisë që, në një situatë të tillë, me siguri do të sillet në prag të ekzistencës sociale”, u shpreh Branko Azeski – kryetar i OEM-së.

“Shoh ligësi gjithandej”, thotë Azeski, duke shtuar se po i akuzojnë se duan inflacion më të lartë për ta rritur eksportin dhe për t’i bërë shërbim dikujt. Por ai thekson se inflacionin e sheh si armikun më të madh të biznesit, sepse e prish parashikueshmërinë.

By admin2