Ziadin Sela thirrje qytetarëve: Dilni në mbrojtje të Gjuhës Shqipe

Kryetari i Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka bërë thirrje publike për mbështetje të protestës në mbrojtje të Gjuhës Shqipe, duke apeluar që qytetarët t’u bashkohen studentëve në këtë kauzë.

Në reagimin e tij, Sela theksoi se çështja e gjuhës shqipe nuk mund të konsiderohet e mbyllur derisa ajo të trajtohet plotësisht e barabartë në aspektin kushtetues dhe institucional.

Reklame

Ai deklaroi se gjuha shqipe është identitet, histori dhe themel i ekzistencës kombëtare të shqiptarëve, duke shtuar se ajo është gjuha në të cilën shqiptarët mendojnë, ëndërrojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

“Edhe pasi të jetë e barabartë do të merremi me të, sepse është e jona, është në habitatin e vet, në shtëpinë e saj”, shkroi Sela, duke nënvizuar se mbrojtja e Gjuhës Shqipe është detyrim brez pas brezi.

Ai gjithashtu kritikoi, siç tha, përpjekjet për ta “mbyllur” çështjen e gjuhës apo për ta përdorur atë për interesa politike dhe pushtet.

Sela theksoi se 18 maji shënon ditën kur një brez i ri studentësh merr përsipër kauzën për mbrojtjen e Gjuhës Shqipe, jo për ta tregtuar atë, por për ta ruajtur dhe përcjellë te gjeneratat e ardhshme.

“Sepse kur e humb gjuhën, nuk je më, nuk ekziston, je asimiluar”, thuhet mes tjerash në reagimin e liderit të Aleancës për Shqiptarët.

By admin