Shtrenjtohet akomodimi në konviktet studentore

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut me procedurë të shkurtuar, miratoi ndryshimet në Ligjin për standardin studentor, të propozuara nga një grup deputetesh të VMRO-DPMNE-së, përcjell INA.

Zgjidhjet e reja ligjore sjellin ndryshime të rëndësishme në mënyrën e financimit të akomodimit studentor dhe në shpërndarjen e bursave.

Reklame

Me ligjin e ri vendoset kategorizimi i konvikteve studentore në dy lloje:

* Tipi 1: Objekte të rikonstruktuara dhe me efikasitet energjetik

* Tipi 2: Konvikte ekzistuese, pra të parinovuara

Ministria e Arsimit ndryshon modelin e financimit të akomodimit dhe ushqimit, kështu që për konviktet e Tipit 1 shteti do të mbulojë vetëm deri në 40% të shpenzimeve, në vend të 50% sa mbulonte deri më tani. Për konviktet e Tipit 2, pjesëmarrja e shtetit mbetet deri në 50%.

Kjo do të thotë se studentët në konviktet e rinovuara do të paguajnë çmime më të larta, të cilat do të përcaktohen sipas “kostove reale”.

Ekziston frika për krijimin e një “sistemi me dy klasa”, ku kushtet më të mira do të jenë të arritshme vetëm për ata me mundësi më të mëdha financiare.

Ndryshimet e ligjit ndryshojnë edhe raportin e ndarjes së bursave shtetërore:

Kategoritë sociale: Kuota ulet nga 49% në 40%, megjithëse tani përfshihen edhe studentët me sëmundje të rralla dhe me aftësi të kufizuara.

Interesat strategjike: 35% e bursave janë të dedikuara për programe studimore me interes strategjik.

Suksesi: 25% rezervohen për studentët me rezultate të shkëlqyera në mësime.

Hiqen kompensimet për strehim privat dhe transport

Me ligjin e ri fshihen dispozitat e miratuara gjatë krizës së Covid-19. Studentët që nuk do të sigurojnë vend në konvikt nuk do të kenë më të drejtë ligjore për kompensim mujor deri në 6.000 denarë për strehim privat ose transport ndërqytetas.

Edhe pse në arsyetim thuhet se ligji nuk ka implikime shtesë fiskale për Buxhetin, ka kritika se shteti gradualisht po e zvogëlon mbështetjen e tij dhe po ua transferon barrën financiare drejtpërdrejt studentëve dhe familjeve të tyre.(INA)

By admin7