Enver Hasani: Xhandarmëria fushatë dhe plan i Kurtit për të krijuar një strukturë lojale personalisht ndaj tij

Enver Hasani: Xhandarmëria fushatë dhe plan i Kurtit për të krijuar një strukturë lojale personalisht ndaj tij

Albin Kurti ka befasuar shumëkënd kur gjatë javës që shkoi shpalli se ka plane për krijimin e një force të re të sigurisë në vend – xhandarmërinë.

Reklame

Një ditë pas deklaratës se Kurtit, Sveçla iu përvesh punës duke thënë se ka nënshkruar formimin e një grupi punues për krijimin e këtij mekanizmi.

Njerëz të afërt me Kurtin i bënë jehonë veprimeve, “xhandarmëria po bëhet” u tha në postime.

Enver Hasani Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese këtë lëvizje të Kurtit e ndërlidh me zgjedhjet por edhe me planet e tij për krijimin e një strukture lojale personalisht ndaj tij. Pikëpamjet e tij, për Xhandarmërinë, Hasani i shprehur të premten duke u përgjigjur në tri pyetje të Gazetës Express, të cilat po i publikojmë sot.

Gazeta Express: Kryeministri Albin Kurti, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, njoftoi se ka plane për themelimin e xhandarmërisë, një forcë tjetër sigurie në vend, për të cilën nuk dihet saktë nëse kemi nevojë. Cilat janë motivet e Kurtit, bazuar në vëzhgimet tuaja?

E. Hasani: Janë dy arsye pse Kurti e bën këtë në këtë kohë. E para është se fjala “xhandarmëri” komunikon mirë me votuesin injorant, i cili e sheh atë si strukturë represive që mund të përdoret kundër “gardës së vjetër që ka vjedhur”, pra si instrument për marrjen e pasurisë së fituar pa meritë. Kjo është propagandë klasike, e drejtuar ndaj votuesit të paarsimuar dhe politikisht të papjekur.

Arsyeja e dytë lidhet me faktin se zoti Kurti nuk ka kontroll të plotë mbi FSK-në, për shkak se aty rol të madh kanë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, ndërsa Policinë e Kosovës e sheh si jo plotësisht të besueshme dhe të lidhur me qeveritë e kaluara, prandaj vështirë e konsideron si forcë që mund të bëhet plotësisht lojale ndaj tij. Për këtë arsye, ai synon të krijojë një strukturë të re nga e para, të mbushur me militantë dhe njerëz personalisht lojalë ndaj tij.

Gazeta Express: Sveçla ndërmori menjëherë veprime për operacionalizimin e idesë së Kurtit. Sipas jush, a ka bazë ligjore për krijimin e një force të tillë, a e lejon Kushtetuta?

E. Hasani: Sigurisht që asnjë strukturë e re e sigurisë, e cila nuk parashihet me Kushtetutën e Kosovës, nuk mund të formohet. Jo vetëm në Kosovë, por askund ku ekziston xhandarmëria ose forca ekuivalente me të, një gjë e tillë parashihet me kushtetutën nacionale. Nuk është punë e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe as e ministrisë që ai drejton formimi i xhandarmërisë. Kjo është propagandë.

Për të qenë iniciativë serioze dhe që formimi i saj të mos duket sikur synon krijimin e një force parapolitike dhe ekstrakushtetuese, është dashur që procesi të niste në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe ekspertëve të sigurisë nga Kosova dhe jashtë saj, si dhe me një involvim të fuqishëm të komuniteteve joshumicë dhe ekspertëve kushtetues nga vendi dhe Evropa.

Gazeta Express: NATO dhe BE thanë se po presin më shumë detaje për këtë nismë të kryeministrit në detyrë, ndërkohë që vetë Kurti tha se xhandarmëria nuk është “zëvendësim” për KFOR-in, por bashkëpunëtore e KFOR-it. A prisni ndonjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje?

E.Hasani: Është detyrim kushtetues i Kosovës i shprehur në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës që çdo gjë që lidhet me sigurinë e rëndë të vendit, siç është çështja e kufijve, duhet të koordinohet me faktorët relevantë ndërkombëtarë. Ky detyrim kushtetues është njëkohësisht edhe detyrim ndërkombëtar, i ankoruar në Rezolutën 1244 dhe në paragrafin e fundit të Deklaratës së Pavarësisë.

Për këto dy arsye, reagimi i NATO-s dhe i BE-së është i kujdesshëm. Pra, bëhet fjalë për formimin e një strukture sigurie që ka implikime të forta rajonale, kushtetuese – për aq sa nuk ndiqet një rrugë kushtetuese – dhe ndërkombëtare, për aq sa dyfishon kompetenca për të cilat aktualisht përgjegjësia finale i takon KFOR-it.

Thënë ndryshe, nëse nuk ndiqen standardet e duhura të sigurisë, për të cilat Kosova nuk pyetet aq shumë sa mund të mendojë dikush nga qeveria, standardet kushtetuese që kërkojnë ndryshime kushtetuese, si dhe standardet ndërkombëtare që lidhen me Rezolutën 1244 – ku Kosova praktikisht është jashtë loje dhe duhet të mbështetet te SHBA-ja dhe vendet aleate anëtare të Këshillit të Sigurimit për neutralizimin e pengesave që ky dokument krijon në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë – atëherë nuk mund të flitet për tjetër gjë, përveçse për një projekt propagandistik të momentit.

Madje, nëse shtyhet përpara pa koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët e saj, kjo mund të çojë në konfrontim dhe krizë serioze, duke rihapur shumë çështje që lidhen me Kosovën.

By admin2