Shuhet në moshën 84-vjeçare aktori shqiptar Birçe Hasko

Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin “popullor” të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.

Reklame

Ai lindi në fshatin Dukat, në rrethin e Vlorës, më 15 mars 1942. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”. Pas përfundimit të saj, punoi për disa vite si mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Amanikaj, Nivicë të rrethit të Tepelenës dhe Poro të rrethit të Vlorës, deri në vitin 1965.

Më pas ndoqi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965-1969). Pas diplomimit, nga viti 1969 e në vijim, ai u angazhua si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve, ku më vonë shërbeu edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989-1994.

Në skenë dhe ekran, Hasko u dallua veçanërisht në role të karakterit komik dhe popullor.

Në teatër interpretoi figura si Milo Tafani në komedinë “Shi në plazh” (1983) nga Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” (1984) nga Ruzhdi Pulaha, si dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” (1984) nga Sulejman Pitarka.

Ai njihej për një natyrë të veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe “fshatarakë” të karaktereve i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një mënyrë loje origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku në role dytësore ndërtonte tipa të gjallë, me origjinalitet plastik dhe shprehje të fortë skenike.

Gjatë karrierës së tij, ka realizuar 32 role filmike, ndër të cilat veçohen:

“Kur zbardhi një ditë” (1970) – Sulo ballisti,
“Malet me blerim mbuluar” (1971) – Osmani,
“Njeriu me top” (1977) – Tosun Baçi,
“Koncert në vitin 1936” – Tellalli,
“Radiostacioni” (1979) – Mete Aliu,
“Dhe vjen një ditë” (1986) – Dajë Alushi,
“Përrallë nga e kaluara” (1987) – plaku i sertë,
“Shkëlqim i përkohshëm” (1988) – babai i Danes (për të cilin fitoi Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit),
si dhe “I dashur armik” (2005) – tregtari çifut

Loja e tij karakterizohej nga humori i çlirët dhe spontan, ndërtimi i karaktereve të gjalla dhe autentike, mimika shprehëse dhe një ndjenjë e fortë ritmi në interpretim. Përdorimi i të folurit konkret, shpesh me elemente të dialektit të Labërisë, dhe mënyra e veçantë e komunikimit skenik i jepnin roleve të tij një identitet të dallueshëm artistik.

Përveç interpretimit, ai ka dhënë një kontribut të gjerë si pedagog, duke përgatitur studentë për aktorë dhe duke vënë në skenë shumë etyde, fragmente dhe 18 vepra dramatike të plota. Më 13 nëntor 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1995 mori titullin universitar “Profesor”, ndërsa më vonë u nderua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”./TCh/

By admin7