Kandidati që “arrestonte” Kurtin me AI bën namin me vota – nga vendi i 104-t në Top 50 të PDK-së!

Qëndrim Kryeziu, kandidati i PDK-së që tërhoqi vëmendje të madhe gjatë fushatës me videot e krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, po konsiderohet një nga surprizat e këtyre zgjedhjeve. I renditur i 104-ti në listën zgjedhore, ai është ngjitur në mesin e 50 kandidatëve më të votuar të partisë.

Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i rreth 20% të votave për kandidatët, Kryeziu ka siguruar 1,170 vota dhe aktualisht renditet i 43-ti në listën e PDK-së. Gjatë fushatës, ai u bë viral në rrjetet sociale me përmbajtje satirike të krijuara me AI, ku në disa video paraqitej duke e “dërguar” kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në Prokurori.

Megjithatë, pavarësisht ngritjes së ndjeshme në renditje, votat e fituara deri tani nuk mjaftojnë për të siguruar një ulëse në Kuvend. Sipas projeksioneve aktuale, kandidatët që pritet të bëhen deputetë nga PDK-ja kanë një diferencë prej rreth dy mijë votash më shumë se Kryeziu.

Kandidati i njohur edhe si drejtues i Arbëria TV dhe një operatori telekomunikimi, ishte përfshirë në një tjetër ngjarje që mori vëmendje gjatë fushatës, kur u arrestua për disa orë pas një përplasjeje me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni për rrënimin e një pompe derivatesh në Prishtinë.

Edhe pse rruga drejt mandatit mbetet e vështirë, rezultatet e deritanishme e vendosin Kryeziun mes emrave që kanë arritur të bëjnë një ngjitje të pazakontë falë një fushate jo konvencionale dhe prezencës së fortë në rrjetet sociale.

By admin