Gruevski mohon pretendimet e Malenkos: As nuk e kam takuar, as nuk kam folur ndonjëherë me të

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Aleksandar Malenkos, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të sajuara.

Gruevski theksoi se nuk e ka takuar dhe as nuk ka zhvilluar ndonjëherë bisedë me Malenkon, duke mohuar kategorikisht pretendimet se në ditët para largimit të tij nga Maqedonia kishte qëndruar me familjen në një hotel në Ohër, siç është deklaruar në një podkast.

Sipas tij, një gjë e tillë mund të verifikohet lehtësisht përmes angazhimeve që kishin në atë periudhë ish-bashkëshortja dhe fëmijët e tij, si dhe përmes takimeve të shumta që ai kishte zhvilluar në Shkup.

Gruevski sqaroi se kishte qëndruar në të njëjtin hotel rreth shtatë muaj më herët, gjatë pushimeve të Pashkëve, dhe se vetëm atëherë kishte mësuar se objekti ishte në pronësi të familjes së bashkëshortes së atëhershme të Malenkos. Ai shtoi se ishte informuar se Malenko kishte kërkuar ta takonte gjatë mëngjesit, por një takim i tillë nuk kishte ndodhur.

Në reagimin e tij, Gruevski e cilësoi të gjithë rrëfimin e Malenkos si të palogjikshëm dhe të pavërtetë, duke theksuar se zakonisht nuk u përgjigjet sulmeve dhe akuzave ndaj tij. Megjithatë, ai vendosi të reagojë këtë herë pasi, sipas tij, në histori janë përfshirë padrejtësisht edhe ish-anëtarë të sigurimit të tij personal, të cilët nuk kanë pasur asnjë lidhje me largimin e tij nga vendi.

By admin