Mesazhet e shkëmbyera në platformën e enkriptuar SKY ECC kanë çuar në zbulimin e një rrjeti të madh të krimit të organizuar me bazë në Kosovë, i përfshirë në trafikim ndërkombëtar droge, pastrim parash, keqpërdorim dokumentesh dhe posedim armësh.
Sipas detajeve të publikuara nga Europol, hetimi trevjeçar kulmoi më 9 qershor me një operacion të gjerë ndërkombëtar, ku u arrestuan pesë anëtarë kyç të organizatës kriminale. Në aksion morën pjesë rreth 150 zyrtarë të zbatimit të ligjit, të mbështetur nga ekspertë të Europolit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se grupi përdorte platformën e koduar SKY ECC për të koordinuar dërgesat e drogës në disa vende evropiane, ndërsa qendra e operacioneve ndodhej në Kosovë. Prej aty, drejtuesit e rrjetit jepnin urdhra, menaxhonin transportin ndërkombëtar të narkotikëve dhe organizonin skema të pastrimit të parave.
Hetimi ka prodhuar rezultate të mëdha: deri më tani janë hetuar 42 persona të dyshuar, janë kryer bastisje në 76 lokacione dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 80 milionë euro.
Operacioni i fundit u realizua në bashkëpunim mes autoriteteve të Kosovës, Belgjikës, Francës dhe Holandës, duke goditur një nga rrjetet më të mëdha kriminale të zbuluara vitet e fundit përmes dekriptimit të komunikimeve në SKY ECC.

