Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur uljen e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës me mesatarisht 6,61 për qind krahasuar me vendimin e 15 qershorit.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi nga mesnata, respektivisht më 23 qershor në ora 00:01.
Sipas vendimit, benzina EUROSUPER BS-95 do të lirohet për 3,5 denarë për litër dhe do të shitet me çmim prej 84 denarësh për litër.
Benzina EUROSUPER BS-98 do të jetë më e lirë për 4 denarë dhe do të kushtojë 86 denarë për litër. Uljen më të madhe e shënon dizeli dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri, çmimet e të cilëve ulen për 7 denarë për litër. Kështu, EURODIZEL BS (D-E V) do të shitet me 80,5 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të kushtojë 79,5 denarë për litër.

