Nëna e Gjoko Ristovit: 350 mijë eurot vetë i kam fshehur në mur, i kam fituar nga shalqiri, specat e rrushi

Në seancën e sotme gjyqësore për ish gjyqtarin Gjoko Ristov, dëshmuan prindërit e tij lidhur me 350 mijë eurot e gjetura të fshehura në një bunker special mur. Nëna Donka Ristova, tha se paratë nuk janë personalisht të saja, të cilat i ka përfituar nga shitja e produkteve bujqësore gjatë 50 viteve.

Aty i ruaj paratë. Në kuzhinën e katit të dytë, pas shporetit. Pllakat kanë qenë të ngjitura vetëm në 4 vende që lehtë të bien, që pastaj të hapet. Nga vitit 1975 kur e kemi ndërtuar shtëpinë. Kur më kanë mbetur para, i kam vendosur aty. Pllakën e kam si dritare të vogël. Të gjitha paratë që më kanë mbetur, i kam futur në fletë alumini, dhe direkt i kam vendosur aty. I kam pasur për ditë të rënda të pleqërisë”, tha Donka Ristova.

E pyetur pse nuk i ka dërguar në bankë, nëna e ish gjyqtarit tha se nuk ka besim.

“Banka nuk garanton mbi 30 mijë euro. U mbyll një bankë përpara disa vitesh, njerëzit vetëvriten, vdesin”. Shtoi Ristova.

E pyetur se si i kanë fituar paratë, Ristova tha se kanë punuar shumë së bashku me bashkëshortin.

“Tërë jetën i kam përfituar paratë. Shitja nëpër gjithë tregjet, shalqi, pjepër, spec të kuq, arra, kajsi. Pastaj kemi pasur vreshtari dhe kam shitur rrush në sasi të mëdha.

Megjithatë, kur gjyqtarja e pyeti pse sipas ekspertizës janë gjetur gjurmët biologjike të djalit të saj Gjoko Ristov e jo të saj, Donka Ristova tha se nuk është e mundur. Të njëjtën përgjigje e dha edhe bashkëshorti i Donkës apo babai i Gjokos, Zdravko.

Pothuajse me përgjigje të njëjta, Zdravko tha se për paratë nuk kanë qenë në dijeni fëmijët e tyre, ndërsa në vendin ku janë gjetur i ka vendosur vetëm bashkëshortja. “Detyra ime ishte që të përfitoj dhe t’i sjellë, ndërsa bashkëshortja i vendoste”, tha babai i Gjoko Ristovit, Zdravko. Megjithatë, kjo deklaratë bie ndesh me atë që prezantoi Prokuroria, derisa hetuesit kanë gjetur paratë e kanë pyetur Zdravkon se të kujt janë paratë, ai është përgjigjur se ndoshta janë të djalit të tij Gjoko i cili është gjyqtar dhe e shfrytëzon katin e dytë të shtëpisë.

Prokurorja e çështjes tha se deklarata e prindërve nuk mund të merret e besueshme, duke e pasur parasysh rrethanën emocionale kur bëhet fjalë për djalin e tyre.

Në seancën e sotme dëshmoi edhe dëshmitari tjetër i mbrojtjes, Goran Manoilloviq, teknik kriminalistik, i cili ka qenë pjesë e ekipit kur nga muri janë nxjerrë 350 mijë eurot. Nëpërmjet këtij dëshmitari, mbrojtja tenton të rrëzojë dëshminë e Prokurorisë për gjetjen e gjurmëve biologjike të Gjoko Ristovit, pasi sipas tyre, ka pasur kontaminim të gjurmëve. /Alsat.mk