Tajvani ka ngritur shqetësime serioze se mega-ambasada e re e Kinës në Londër mund të shërbejë si qendër për ndalimin e disidentëve dhe kundërshtarëve politikë të Pekinit.
I dërguari tajvanez, Vincent Chin-Hsiang Yao, deklaroi për The Telegraph se ekziston frika që hapësirat nëntokësore të kompleksit diplomatik të përdoren për mbajtjen e fshehtë të disidentëve, përfshirë politikanë tajvanezë të sanksionuar nga Kina, transmeton Klankosova.tv

“Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë mundësi, pasi Kina ka vepruar në mënyrë të ngjashme ndaj aktivistëve nga Hong Kongu dhe Tajvani,” tha Yao.
Sipas tij, deputetët tajvanezë që ndodhen në listën e zezë të Pekinit si “separatistë të pavarësisë së Tajvanit” mund të përballen me rrezik rrëmbimi gjatë udhëtimeve jashtë vendit, raporton The Telegraph.
Mega-ambasada, e planifikuar të ndërtohet në zonën Royal Mint Court pranë Tower of London, pritet të jetë misioni diplomatik më i madh i Kinës në Evropë.
Projekti është shoqëruar me polemika që prej vitit 2018, kryesisht për shqetësimet mbi spiunazhin dhe sigurinë kombëtare.
Në janar, kur Steve Reed, Sekretari i Strehimit, dha zyrtarisht miratimin për ambasadën, The Telegraph nxori në pah plane të detajuara për një kompleks nëntokësor që Pekini ishte përpjekur ta mbante larg shqyrtimit publik, transmeton Klankosova.tv
Raportimet kanë zbuluar gjithashtu plane për ndërtimin e hapësirave nëntokësore pranë kabllove të ndjeshme të komunikimit që lidhin qendrën financiare të Londrës.
Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se kërcënimi nuk kufizohet vetëm te spiunazhi, por edhe te represioni ndërkombëtar i Pekinit ndaj kundërshtarëve politikë.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i ambasadës kineze i hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e përfaqësuesit tajvanez, duke i cilësuar ato si “plotësisht të pabazuara dhe shpifëse”. /Klankosova.tv

