Statuja e zhveshur e Donald Trump në Parlamentin Europian, “Murtaja Portokalli” shkakton debat

Një statujë nudo e presidentit amerikan Donald Trump, e mbuluar me fletë ari 23 karatësh, është ekspozuar në ambientet e Parlamentit Europian në Strasburg, duke tërhequr vëmendjen për paraqitjen provokuese dhe mesazhin politik që përcjell.

Skulptura, 2.6 metra e lartë dhe e titulluar “Murtaja Portokalli”, e njohur gjithashtu si “Mbreti i Padrejtësisë”, paraqet Trumpin krejtësisht lakuriq, të ulur mbi shpatullat e një burri të vogël e të rraskapitur, i cili duket se po përkulet nën peshën e tij.

Trumpi në skulpturë mban në duar një shkop golfi dhe Peshoren e Drejtësisë, ndërsa barku dhe kofshët e tij mbulojnë kokën e figurës që po e mban mbi shpinë.

Në bazën e statujës është vendosur edhe një mesazh që përmbledh simbolikën e veprës: “Jam ulur mbi shpinën e një burri. Ai po fundoset nën peshën time. Do të bëja gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbres nga shpina e tij.”

Vepra është krijuar nga artisti danez Jens Galsjøt, i njohur për punimet e tij me karakter politik dhe protestues.

Në një prononcim për CNN, artisti shpjegoi se zgjedhja e arit për të mbuluar statujën nuk ishte e rastësishme, duke iu referuar pëlqimit të Trumpit për këtë metal të çmuar.

“Trump e pëlqen arin. Në një farë mënyre, mendoj se atij do t’i pëlqente kjo skulpturë”, tha Galsjøt.

Artisti tha se përmes veprës synon të denoncojë atë që ai i konsideron kërcënime të Trumpit ndaj mjedisit dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Trump po shkatërron gjithçka në të cilën unë besoj”, u shpreh ai.

Pse Trump është paraqitur lakuriq?

Lakuriqësia e presidentit amerikan lidhet me një tjetër simbolikë. Galsjøt tha se u frymëzua nga përralla e Hans Christian Andersenit, “Rrobat e Reja të Perandorit”, ku një sundimtar mendjemadh përfundon duke parakaluar lakuriq para nënshtetasve të tij, pa qenë i vetëdijshëm për poshtërimin.

“Diktatorëve nuk u pëlqen t’u qeshin”, tha artisti, duke shpjeguar se humori dhe tallja e pushtetit janë elementë të rëndësishëm të artit të tij politik.

Skulptura është vendosur në një nga korridoret e frekuentuara të Parlamentit Europian, ku kalojnë çdo ditë eurodeputetë, punonjës dhe vizitorë. Ekspozita u përurua të martën dhe pritet të qëndrojë deri të enjten, më 8 tetor.

Pranë statujës janë vendosur edhe më shumë se 1,000 miniatura, të prodhuara me printera 3D, të cilat vizitorët mund t’i marrin si objekte simbolike proteste.

Pas nismës qëndron eurodeputeti danez Per Clausen, anëtar i Aleancës Kuqe-Gjelbër dhe i grupit politik të Majtë në Parlamentin Europian. Sipas tij, reagimi ndaj projektit ka qenë kryesisht pozitiv, megjithëse ka pasur kundërshtime nga disa përfaqësues të së djathtës ekstreme.

Ekspozimi i statujës në ambientet e Parlamentit Europian nuk nënkupton se institucioni mbështet mesazhin politik të veprës.

Sipas rregullores së procedurës, çdo eurodeputet mund të mbështesë deri në dy aktivitete ose ekspozita kulturore gjatë një mandati parlamentar, me kusht që ato të marrin miratimin e nevojshëm.

Rregullat ndalojnë ekspozitat që konsiderohen fyese, nxitëse, në kundërshtim me vlerat themelore të Bashkimit Europian ose që mund të dëmtojnë prestigjin e Parlamentit.

Një zëdhënës i shërbimit për shtyp konfirmoi se kjo ekspozitë është miratuar nga Kuestorët e Parlamentit Europian, të cilët janë përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave të tilla.

Donald Trump nuk ka komentuar deri tani për skulpturën apo ekspozimin e saj në Parlamentin Europian.