Me kallash n’pikë të ditës: Grabitje në një market në Slivovë të Ferizajt

Një grabitje e armatosur ka ndodhur dje në një market në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku një person i maskuar ka arritur të marrë para nën kërcënimin e armës.

Ngjarja ka ndodhur më 19 prill 2026 rreth orës 12:00.

Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, viktima N. R, shitës në marketin “Diti-R”, ka raportuar se një person i maskuar, i veshur me rroba të zeza, me syze dhe shall mbi fytyrë, ka hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e një arme të gjatë ia ka marrë paratë nga arka.

Pas grabitjes, i dyshuari është larguar në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.

Policia ka reaguar menjëherë dhe, brenda pak minutash, rreth orës 12:30, ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me rastin.

Gjatë veprimeve të mëtejshme, është sekuestruar edhe arma që dyshohet të jetë përdorur në grabitje – një AK-47, ndërsa janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika rajonale, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin kujdestar për krime të rënda.

Rasti është në zhvillim dhe priten detaje të tjera.