Stoilkoviç, Maqedonia e Veriut nuk është skenë për vallen e rrezikshme të “botës serbe”!

Stoilkoviçi duhet ta kuptojë se Kuvendi nuk është skenë për arrogancë dhe fyerje!

Ivan Stoilkoviçi mund të jetë i përkëdheluri politik i Hristijan Mickoskit, por kjo nuk i jep të drejtë të humbasë kontrollin, të fyejë deputetë dhe aq më pak të sulmojë verbalisht një deputete shqiptare të opozitës.

Sipas raportimeve mediatike për seancën e 13 korrikut, Stoilkoviçi është akuzuar për fjalë të rënda dhe ofenduese ndaj deputetes Arbana Pasholli.

Si përfaqësues politik i komunitetit serb, Stoilkoviçi duhet të tregojë dyfish përgjegjësi. Nuk mund të luajë valle të rrezikshme me meloditë e të ashtuquajturës “botë serbe”, në një shtet multietnik që ka nevojë për stabilitet, respekt dhe orientim të qartë evropian. Edhe në debatin e djeshëm parlamentar u ngritën publikisht shqetësime për orientimin euroatlantik dhe lidhjen e figurës së tij me konceptin e “botës serbe”.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dëshmuar vazhdimisht orientimin e tyre proevropian dhe pro-perëndimor. Prandaj, provokimet, arroganca dhe gjuha fyese nuk duhet të dënohet.

Sa më shumë që politika maqedonase u jep hapësirë figurave që ushqehen me retorikë përçarëse dhe nostalgji të rrezikshme gjeopolitike, aq më shumë e largon vendin nga realiteti dhe e ardhmja e tij evropiane.

Stoilkoviçi duhet të ketë kujdes me fjalët dhe veprimet e tij. Maqedonia e Veriut nuk është terren për eksperimentet e “botës serbe”, ndërsa shqiptarët nuk janë popull që mund të fyhen dhe provokohen pa përgjegjësi politike!

By admin7