Deri në 30 mijë denarë subvencion për ngrohje më të lirë – qytetarët mund të aplikojnë deri më 31 tetor

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale vazhdon zbatimin e masave që ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët dhe nxisin investimet në sisteme ngrohjeje më ekonomike, më efikase dhe më të pastra njoftona INA.

Aktualisht është i hapur thirrja publike për ndarjen e subvencioneve për kyçje në rrjetin e gazit natyror dhe për blerjen e kaldajës me gaz, përmes së cilës amvisëritë mund të marrin mbështetje financiare deri në 30.000 denarë, përkatësisht deri në 70 për qind të shpenzimeve të realizuara.

Ministria rikujton se afati për dorëzimin e kërkesave është 31 tetor 2026, ndërsa të gjithë qytetarët e interesuar që i plotësojnë kushtet kanë kohë të mjaftueshme për ta shfrytëzuar këtë mundësi.

Me këtë masë, shteti jo vetëm që i ndihmon familjet të ulin kostot e investimit, por kontribuon edhe në rritjen e efikasitetit energjetik, përdorimin e një burimi më të pastër energjie dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor.

Të drejtë për mbështetje financiare kanë amvisëritë që gjatë vitit 2026 do të realizojnë kyçje shtëpiake në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, si dhe amvisëritë që do të blejnë kaldajë me gaz natyror për objektet që janë kyçur në sistem deri më 1 janar 2026. Për një amvisëri mund të dorëzohet vetëm një kërkesë.

Për këtë masë janë siguruar 3 milionë denarë, ndërsa mjetet do të ndahen në përputhje me kushtet e thirrjes publike. Mbështetja do të ndahet sipas parimit “i pari që aplikon – i pari që shërbehet”, deri në shterimin e fondeve.

Më shumë informacione gjenden në ueb-faqen e Ministrisë së Energjetikës.

Pas përfundimit të afatit, një komision i formuar nga Ministria do t’i shqyrtojë aplikimet e dorëzuara, ndërsa mbështetja financiare do t’u paguhet të gjithë përfituesve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara.

Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që planifikojnë kyçje në gaz natyror ose blerje të kaldajës me gaz, të mos e humbin këtë mundësi për mbështetje shtetërore dhe ta dorëzojnë me kohë dokumentacionin e nevojshëm.

Mbështetja e qytetarëve mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale. Përmes masave konkrete dhe subvencioneve, Ministria vazhdon të zbatojë politika që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për amvisëritë, ulin shpenzimet për energji dhe përshpejtojnë kalimin drejt zgjidhjeve më efikase dhe më të qëndrueshme për ngrohje./INA/

By admin7