Gjykata në Beograd lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe ka lëshuar urdhërarrest ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili konsiderohet organizatori kryesor i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në një përgjigje për televizionin “N1”, gjykata ka konfirmuar se këto masa janë marrë pasi Radoiçiq nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor, ashtu siç ishte i detyruar me vendim gjykate.

Ai ishte urdhëruar që të paraqitej në polici dy herë në muaj, përkatësisht më 1 dhe 15 të secilit muaj. Radoiçiq e kishte respektuar këtë masë më 1 nëntor, por nuk ishte paraqitur në datën 15.

Ndërkohë, mediat në Serbi kanë raportuar se Radoiçiq është larguar drejt Rusisë pas rezultateve të zgjedhjeve, në të cilat partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pësoi humbje përballë Listës së Studentëve. Atij më herët i ishte konfiskuar edhe pasaporta.

Radoiçiq është në kërkim edhe nga INTERPOL-i, ndërsa autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë organizatorin kryesor të sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, Radoiçiq, përmes avokatëve të tij, kishte pranuar se e kishte organizuar atë. Në të njëjtën kohë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar vazhdimisht që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin te autoritetet kosovare, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë për sulmin në Banjskë.