Këta janë tre të arrestuarit për rastin e punëtorit 20-vjeçar

Drejtori menaxhues i kompanisë investuese “Vllezërit Asllani” Sh.p.k., Egzon Elshani u ndalua të mërkurën bashkë me dy të tjerë në lidhje me rastin e vdekjes së një punëtori 20-vjeçar në një vendpunishte në Prishtinë të mërkurën.

Elshani, përfaqësues i kompanisë që po investon në objektin banesor në Rrugën A në Prishtinë, u arrestua së bashku me Betim Sylejmanin dhe Agon Hashanin.

Sylejmani është pronar i kompanisë “Sigma Crane & Transport” me seli në Ferizaj, në të cilën shërbente si punonjës punëtori Ermal Sherifi, 20-vjeçar, i cili vdiq të mërkurën në vendpunishten në Rrugën A në kryeqytet.

Kompania merret me shërbime të vinçave, kranëve dhe transportit rrugor.

Betim Sylejmani, pronar i kompanisë “Sigma Crane & Transport”

I arrestuari i tretë, Agon Hashani, është një punonjës i kompanisë “Sigma Crane & Transport”, i cili dyshohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me këtë rast Prokuroria ka inicuar hetimet për veprat penale ‘’Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ si dhe ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, tha Prokuroria në një njoftim për media të mërkurën.

Prokuroria tha se hetimet për rastin ku vdiq një punëtor dhe një tjetër u lëndua, po zhvillohen së bashku me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës.

Ermal Sherifi, 20-vjeçar, vdiq tragjikisht në vendin e punës

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë, si dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike”, njoftoi Prokuroria.

Prokuroria po ashtu tha se intervistoi dëshmitarë okularë dhe personin e lënduar, i cili është duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Pas rastit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se përgjegjësia direkte për këtë bie mbi Inspektoratin Komunal dhe Komunën e Prishtinës. Ajo kërkoi llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë është kompetencë e Inspektoratit të Punës në nivel qendror.

By admin7