Provokon Blushi: Shqipëria të gllabërojë vende për të mbijetuar, të bashkohemi me Kosovën, urojmë të prishet Maqedonia…ta marrim gjysmën

Shkrimtari dhe ish-ministri shqiptar, Ben Blushi, duke marrë shkas nga një deklaratë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, beson se “koha e shteteve të vegjël që u krijuan në dy qind vitet e fundit nga gërmadhat e perandorive po skadon”.

Rubio tha para pak ditësh se “një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin ose të sigurojë qasje në burimet jetike, nuk mund të mbrojë popullin e tij, nuk mund të mbrojë interesat e tij dhe nuk mund të mbrojë mënyrën e tij të jetesës”.

Sipas Blushit kjo “doktrinë” e Rubios do të thotë: “kush nuk ka ilace vdes, kush nuk ka anije mbytet”.

“Dhe nëse kjo recetë e frikshme kthehet në doktrinë, cdo njeri që jeton në Shqipëri duhet të jetë në panik”, tha Blushi në një shkrim në Facebook.

Blushi tha se “Shqipëria konsumon 5000 ton ilace në vit, por 90 për qind të tyre i blen jashtë. Me këto ritme as për 100 vitet e ardhshëm ne nuk do prodhojmë dot ilacet që na duhen”.

Në këtë pikë, ai thotë se Shqipëria duhet të “gllabërojë vende të tjera”, përpara se të “gllabërohet vetë”.

“Të mëdhenjtë kanë gjithnjë të drejtë, kurse të vegjëlit e kanë gabim edhe kur kanë të drejtë. Prandaj meqë nuk prodhojmë dot as ilace dhe as anije, për t’u bërë të mëdhenj ne duhet të bëjmë dicka tjetër. Së pari të bashkohemi me Kosovën. Ky është i vetmi opsion që zgjidh dy ngërce njëkohësisht: Edhe hallin e Kosovës edhe hallin e Shqipërisë”, shkruan ai.

Blushi thotë se “sipas kritereve të Marko Rubios, Kosova është aq e pashpresë saqë nuk mbijeton dot”.

Blushi shkruan se “nëse do e merrnim seriozisht paralajmërimin e Marko Rubios edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të nguten”.

“Bashkimi e shpëton Shqipërinë nga mallkimi i shtetete të vogla, kurse Kosovën nga falimentimi i sigurt dhe kërcënimi i përditshëm i Serbisë”, shkruan ai ndër tjerash.

Ndërkaq, mundësia e Shqipërisë për t’u bërë një shtet pak më i madh “nuk mbaron në Kosovë”, thotë ai. “Maqedonia është një opsion i hapur”.

“Evropa nuk ka pasur kurrë një shtet më të panevojshëm se ky. Maqedonia është një sajesë që u krijua atëherë kur mbetjet e saj jugosllave nuk mund t’i ngjiteshin askujt. Jugosllavia u prish me një kusht : asnjë copë e saj nuk duhej t’i bashkohej një shteti fqinjë. Kështu Maqedonia u bë shtet nga halli. Natyrisht ne nuk e pushtojmë dot Maqedoninë, por duhet të lutemi cdo ditë që ky shtet të prishet nga brenda dhe gjysma e saj të bashkohet me Shqipërinë”, shkruan ai.

By admin7