Zeqirja Ibrahimi nga VLEN ka komentuar 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar rëndësinë e saj për ndaljen e konfliktit dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por njëkohësisht duke kritikuar disa nga kufizimet e saj.
Ibrahimi thotë se Marrëveshja e Ohrit ka merita, pasi, sipas tij, “e ndali konfliktin, e korrigjoi pabarazinë në Maqedoni, e ngriti përfaqësimin e qytetarëve joshumicë, e mundësoi avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe i dha udhë decentralizimit”.
Megjithatë, ai thekson se marrëveshja nuk i zgjidhi, sipas tij, synimet fillestare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Sipas Ibrahimit, me Marrëveshjen e Ohrit shqiptarët vazhduan të mbeten në pozitën e pakicës, ndërsa shteti u definua si pronë e kombit maqedonas dhe bashkësive etnike.
Ai kritikon edhe statusin e gjuhës shqipe, duke thënë se ajo mbeti “gjuhë e pakicës”, ndërsa përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, sipas tij, mbeti në vullnetin e qeverive dhe nuk u shndërrua në detyrim të plotë kushtetues dhe ligjor.
Ibrahimi ngre pikëpyetje edhe për rolin e UÇK-së në marrëveshje, duke theksuar se ajo nuk përmendet si palë nënshkruese.
“Prandaj, krejt në rregull janë festimet, manifestimet, interpretimet e shpjegimet, por nëse nuk kemi guxim t’i emërtojmë gjërat saktë, gjithnjë do të çalojmë”, shkruan Ibrahimi.
Në fund, ai vlerëson se vetëm përcaktimi i saktë i gjendjes mund të jetë pikënisje për ndryshimin e saj.



