VLEN: Përplasjet brenda BDI-së po thellohen, në qendër Ahmeti, Grubi dhe Osmani

VLEN ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke pretenduar se në partinë shqiptare opozitare po thellohen përplasjet e brendshme dhe se në qendër të tyre janë Ali Ahmeti, Artan Grubi dhe Bujar Osmani.

Sipas VLEN-it, Ahmeti, ndonëse po qarkullojnë pretendime se po mendon të largohet nga drejtimi i BDI-së, me veprimet e tij po kontribuon në thellimin e ndarjeve brenda partisë.

„Ahmeti përsëri po luan lojën me dy fytyra. Nga njëra anë, gjoja përpiqet ta shpëtojë Artanin nga arrestimi, ndërsa nga ana tjetër, përmes Artanit po ia ngarkon fajin Bujarit“, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Koalicioni pretendon se prej një kohe në BDI flitet për mospajtime mes figurave drejtuese dhe se Bujar Osmani, sipas tyre, në takime të mbyllura ka kërkuar largimin e Ahmetit, me synimin që partia të rikthehet si një forcë më konkurruese opozitare.

Sipas VLEN-it, Osmani po pret një mundësi për të marrë drejtimin e BDI-së, ndërsa rikthimi i diskutimeve për largimin e mundshëm të Ahmetit nga kreu i partisë nuk është i rastësishëm.

„Gjoja dëshiron të tërhiqet, por njerëzit përreth tij nuk e lejojnë“, deklaron VLEN.

VLEN: Njerëzit rreth Grubit tashmë po distancohen

Në reagimin e saj, VLEN pretendon se brenda BDI-së ekzistojnë përplasje të thella dhe se njerëzit që kanë qenë pranë Artan Grubit tashmë po distancohen prej tij.

„Deri dje i thoshin ‘shef’, ‘vëlla’ dhe ‘king’, ndërsa sot të gjithë i kanë ngritur duart dhe bëhen sikur nuk e njohin“, thuhet në reagimin e koalicionit.

VLEN e lidh këtë situatë me zhvillimet që kanë të bëjnë me Artan Grubin dhe hetimet ndaj tij, duke pretenduar se ajo që ai mund të deklarojë para organeve të drejtësisë mund të ketë pasoja për figura të tjera të BDI-së.

„Tani topi është te Artani“, vlerëson VLEN, duke shtuar se në Reçicën e Vogël, sipas tyre, ekziston shqetësim për atë që Grubi di dhe për atë që mund të thotë.

„Disa kanë frikë nga ajo që di Artani, të tjerët nga ajo që mund të thotë, ndërsa të tretët tashmë po llogarisin se kë mund ta tërheqë me vete“, thuhet në reagim.

Kritika edhe për politikën e BDI-së

VLEN në fund drejton akuza edhe ndaj mënyrës së funksionimit të BDI-së, duke pretenduar se partia prej kohësh nuk funksionon vetëm si organizatë politike, por se interesat personale dhe tenderët janë bërë, sipas tyre, pjesë qendrore e veprimtarisë së saj.

Koalicioni akuzon gjithashtu drejtuesit e BDI-së se çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve përdoren si arsyetim për politikat e tyre.

Reagimi i VLEN-it vjen në një kohë kur në opinionin publik po diskutohet gjithnjë e më shumë për të ardhmen e drejtimit të BDI-së dhe raportet mes figurave të saj kryesore.

By admin7