Rama: Buxheti i komunës o Albin, nuk është instrument i disiplinimit politik – poshtë diktatura

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në protestën e sotme të komunave, ka deklaruar se problemi nuk është mungesa e institucioneve, por siç tha ai, problemi është që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i përdor institucionet për të ndëshkuar qytetarët.

Në fjalën e tij, ai tha se komunat që nuk e votuan VV-në, sot po e paguajnë çmimin.

“Sot, pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione, problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për me e blloku dhe ndëshku qytetarët. Shikojeni se çfarë po ndodhë me komunat. Aty ku VV nuk fitoi, Qeveria po e bllokon buxhetin e investimet, po bllokohen të hyrat vetanake, po merren nga buxhetet komunale mjete për kontrata, për të cilat komunat as nuk i kanë vet. Edhe kush po e paguan këtë çmim? Nuk e paguajmë ne kryetarët, por ju të dashur qytetarë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se komunat kanë ardhur në ditën që të mbrojnë veten nga, siç tha ai, njerëzit që udhëheqin institucionet e shtetit.

“Duhet me i mbrojt komunat nga Qeveria jonë. Çfarë paradoksi…”, u shpreh ai.

“Buxheti i komunës, o Albin, nuk është instrument i disiplinimit politik, a merr vesh? Nuk është diktaturë kjo, është Republikë, poshtë diktatura”, tha ai pos tjerash.

Ai shtoi se Kosova nuk është, siç tha ai “e një mashtruesi si e Albin Kurtit”, teksa theksoi se mesazhi i sotëm është i qartë, “mjaft më me bllokada”.

By admin7