Dënimi i krerëve te UÇK-së, Abdixhiku shërbehet me fjalë të Kurtit: Nuk është dënuar UÇK-ja

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar dënimin e krerëve të UÇK-së nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale.

Për dënimin e katërshes së madhe të UÇK-së ai ka mendim të njëjtë me kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë një interviste në Rubikon, Abdixhiku ka thënë se në Hagë nuk është dënuar UÇK-ja.

“Ju lutem, mos e thoni, mos e thoni që dënohet UÇK-ja, sepse s’dënohet UÇK-ja. Ju lutem, kjo nuk bën të thuhet kështu…edhe kështu ua kam kërkuar të gjithë liderëve politikë…edhe kështu e kërkoj vazhdimisht dhe dua të argumentojmë, dhe jam në gjendje të argumentoj me secilin njeri kundërshtar të republikës së Kosovës që UÇK-ja nuk është kriminale”, ka thënë Abdixhiku

Madje, ai ka kërkuar që nuk duhet të thuhet se është dënuar UÇK-ja.

“Nuk po them katër, tre dy, një nuk mund ta paragjykoj procesin sepse është në proces, ju lutem. Por ajo që po them është që duhet nuk bën ta themi këtë gjuhë. Kjo nuk bën të thuhet…kjo gjuhë”, është shprehur ai.

Duket që i pari i LDK-së është shërbyer me fjale të kryeministrit të Kosovës, i cili gjithashtu mendon se UÇK-ja nuk është dënuar në Hagë.

Më 1 tetor, në një konferencë për media të përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti kishte cituar Kryetarin e Trupit Gjykues, Charles Smith, duke thënë se UÇK-ja nuk ishte në gjyq.

“Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, kishte thënë Kurti.