Problemi nuk është shtetësia, por integriteti!

Propozimi që një deputet të ketë vetëm një shtetësi hap një debat për besnikërinë, transparencën dhe ndikimin politik.

Teorikisht, një zgjidhje e tillë ligjore mund të ulë perceptimin për konflikt të mundshëm interesi dhe ndikim nga shtete të tjera.
Megjithatë, nuk ka garanci që posedimi i vetëm një shtetësie automatikisht do të thotë më shumë pavarësi apo integritet në vendimmarrje.

Shtetësia e dyfishtë nuk duhet të shihet si kërcënim. Përkundrazi, ajo mund të krahasohet me njohjen e disa gjuhëve – është avantazh, jo dobësi. Politikanët me shtetësi të dyfishtë mund të shërbejnë si urë për bashkëpunim më të mirë mes shteteve, të kontribuojnë në lidhje diplomatike dhe ekonomike dhe të hapin mundësi të reja zhvillimi.

Nga ana tjetër, çështja e ndikimit të shteteve të tjera nuk varet vetëm nga shtetësia, por nga kontrolli institucional, transparenca dhe integriteti personal i funksionarëve. Institucionet e forta janë çelësi për të parandaluar çdo ndikim të papërshtatshëm.

Në kushtet e sotme, kur një pjesë e madhe e popullsisë jeton dhe punon në diasporë, këto lidhje duhet të shihen si potencial. Shumë shtete i përdorin bashkatdhetarët e tyre si urë për lobim dhe bashkëpunim. Edhe Maqedonia e Veriut ka shembuj të tillë,njerëz me prejardhje nga vendi që janë aktivë dhe të suksesshëm jashtë dhe mund të kontribuojnë në zhvillimin e tij.

Në vend të frikës nga njerëzit me përvojë ndërkombëtare, duhet të njihet potenciali i tyre. Brezat e rinj, të lindur ose të arsimuar jashtë vendit, mund të jenë një forcë e rëndësishme. Nëse mund ta përfaqësojnë vendin në sport, kulturë dhe ekonomi, atëherë mund të japin kontribut edhe në politikë.

By admin7