BALLKANI KA NEVOJË PËR PROJEKTE TË PËRBASHKËTA, JO PËR INTEGRIME POLITIKE PA BAZË EKONOMIKE

Nga iniciativat rajonale me ndikim të kufizuar drejt projekteve strategjike me interes të ndërsjellë evropian

Isuf B.Bajrami

Vlorë–Otranto: Një korridor i ri rrugor dhe hekurudhor që lidh Ballkanin me Italinë dhe Evropën Perëndimore.

HYRJE

BALLKANI NUK MUND TË INTEGROHET PËRMES VARËSIVE TË REJA POLITIKE

Ballkani Perëndimor ka nevojë për bashkëpunim rajonal më shumë se kurrë. Por pyetja themelore nuk është nëse shtetet duhet të bashkëpunojnë, por mbi çfarë parimesh duhet të ndërtohet ky bashkëpunim, kush përfiton prej tij dhe çfarë ndryshon konkretisht në jetën ekonomike të qytetarëve.

Për më shumë se tri dekada, rajoni është përballur me iniciativa të shumta politike, deklarata të përbashkëta, marrëveshje bashkëpunimi dhe premtime për integrim ekonomik. Megjithatë, hendeku ndërmjet deklaratave politike dhe zhvillimit real ekonomik vazhdon të jetë i madh.

Nisma të tilla si Mini-Schengeni Ballkanik dhe më pas Open Balkan u paraqitën si mekanizma për afrimin e vendeve të rajonit, lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Në parim, këto objektiva janë të arsyeshme dhe të nevojshme. Askush nuk mund të kundërshtojë lehtësimin e tregtisë apo heqjen e pengesave administrative ndërmjet vendeve fqinje.

Por problemi fillon pikërisht atëherë kur një iniciativë që prezantohet si projekt ekonomik rajonal merr përmasa dhe ambicie politike pa krijuar paraprakisht kushtet e barazisë, besimit dhe pjesëmarrjes së të gjitha shteteve.

Ballkani nuk ka nevojë për një model të ri integrimi që, në vend të bashkëpunimit të barabartë, rrezikon të riprodhojë marrëdhëniet e vjetra të ndikimit dhe të varësisë.

Rajoni nuk ka nevojë të ndërrojë vetëm emrat e iniciativave, duke ruajtur të njëjtat probleme strukturore. Ai ka nevojë për një filozofi të re bashkëpunimi, ku fuqia politike, madhësia ekonomike apo pozita gjeografike e një shteti të mos përcaktojnë rolin dhe ndikimin e tij mbi shtetet e tjera.

Pikërisht këtu duhet të zhvillohet debati mbi Mini-Schengenin dhe Open Balkanin.

1. MINI-SCHENGEN DHE OPEN BALKAN: KUR INTEGRIMI EKONOMIK RREZIKON TË KTHEHET NË PROJEKT POLITIK

Nisma e Mini-Schengenit, e prezantuar në vitin 2019 nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, më vonë e njohur si Open Balkan, u promovua si një mekanizëm për krijimin e një hapësire më të integruar ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Në pamje të parë, ideja dukej tërheqëse: lëvizje më e lirë e qytetarëve, tregti më e lehtë, njohje dokumentesh, bashkëpunim doganor dhe ulje të barrierave administrative.

Megjithatë, një projekt që pretendon të përfaqësojë integrimin rajonal duhet të plotësojë një kusht themelor: të jetë gjithëpërfshirës dhe të garantojë barazi reale ndërmjet pjesëmarrësve.

Open Balkan nuk arriti ta përmbushte këtë kusht.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk iu bashkuan kësaj iniciative. Kjo nuk ishte një çështje thjesht formale, por një dobësi themelore politike dhe institucionale e projektit.

Si mund të flitet për integrim të Ballkanit Perëndimor kur një iniciativë rajonale ndërtohet pa pjesëmarrjen e disa prej shteteve të këtij rajoni?

Si mund të pretendohet krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike kur mungon një konsensus i gjerë politik dhe institucional?

Dhe, mbi të gjitha, a mund të jetë i qëndrueshëm një integrim rajonal kur shtetet nuk kanë të njëjtin nivel besimi dhe nuk ndihen njësoj të përfaqësuara në procesin e vendimmarrjes?

Këto janë pyetje që nuk mund të shmangen me argumentin se bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim ekonomik.

Problemi nuk qëndron te ideja e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Problemi qëndron te mënyra se si ndërtohet dhe drejtohet një iniciativë që pretendon të ketë karakter rajonal.

Në veçanti, roli politik dhe ekonomik që synon të marrë Serbia në rajon, si dhe perceptimi për ambicie dominuese të Beogradit, krijojnë arsye të ligjshme për debat dhe rezervë.

Serbia është ekonomia më e madhe ndër vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka peshë të konsiderueshme politike, industriale dhe tregtare. Por kjo pozitë nuk duhet të shndërrohet në privilegj për të përcaktuar drejtimin e integrimit rajonal.

Asnjë shtet nuk mund të marrë rolin e qendrës politike të Ballkanit, ndërsa të tjerët të trajtohen kryesisht si hapësira ekonomike që duhet të përshtaten me interesat e tij.

Bashkëpunimi rajonal nuk mund të ndërtohet mbi hierarki politike, por mbi barazinë sovrane të shteteve.

Për më tepër, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të karakterizuara nga mosmarrëveshje të thella politike dhe nga një proces normalizimi që nuk ka përfunduar. Në këto rrethana, çdo projekt rajonal duhet të mbështetet në respektimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe në marrëdhënie të barabarta ndërmjet palëve.

Nuk mund të kërkohet integrim ekonomik duke anashkaluar problemet themelore politike që pengojnë besimin.

Integrimi nuk mund të jetë zëvendësim për barazinë politike, as mbulesë për ndikimin dominues të një shteti ndaj të tjerëve.

Një tjetër problem: integrimi nuk matet vetëm me lëvizjen e mallrave

Lehtësimi i qarkullimit është i rëndësishëm, por nuk është vetvetiu zhvillim ekonomik.

Një ekonomi nuk bëhet më konkurruese vetëm sepse kamionët kalojnë më shpejt kufijtë. Ajo bëhet më konkurruese kur ka hekurudha moderne, porte funksionale, autostrada, qendra logjistike, energji të qëndrueshme dhe lidhje të drejtpërdrejta me tregjet ndërkombëtare.

Nëse një vend vazhdon të ketë infrastrukturë të dobët, mungesë investimesh dhe varësi nga korridoret e vendeve të tjera, lehtësimi administrativ nuk e ndryshon rrënjësisht pozitën e tij ekonomike.

Për këtë arsye, Open Balkan nuk duhet të trajtohet si destinacioni përfundimtar i integrimit rajonal.

Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë shumë më larg se marrëveshjet për kalimin e kufijve. Ai duhet të krijojë asete të përbashkëta, infrastrukturë të përbashkët dhe mundësi të reja zhvillimi për të gjitha shtetet.

2. BALLKANI KA NEVOJË PËR NJË MODEL TJETËR BASHKËPUNIMI

Alternativa ndaj një integrimi të kufizuar politik nuk është izolimi kombëtar.

Përkundrazi, është një bashkëpunim më ambicioz, më gjithëpërfshirës dhe më i orientuar drejt zhvillimit ekonomik.

Ballkani Perëndimor duhet të ndërtojë një model ku secili shtet merr pjesë si partner i barabartë, pa marrë parasysh madhësinë e territorit, numrin e banorëve apo fuqinë ekonomike.

Ky model duhet të mbështetet në disa parime themelore:

Barazi të plotë ndërmjet shteteve në vendimmarrje.
Respektim të sovranitetit dhe subjektivitetit shtetëror.
Transparencë në investime dhe në ndarjen e përfitimeve.
Projekte konkrete infrastrukturore dhe ekonomike.
Hapje ndaj bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.
Mundësi pjesëmarrjeje për të gjitha vendet e rajonit, pa përjashtime politike.
Në vend të krijimit të mekanizmave të rinj që mund të prodhojnë konkurrencë për ndikim politik, duhet të forcohen mekanizmat ekzistues evropianë, veçanërisht Procesi i Berlinit.

Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ka krijuar një kornizë bashkëpunimi ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve evropianë.

Ai ka një avantazh të rëndësishëm: përfshin të gjitha shtetet e rajonit dhe mbështetet në perspektivën evropiane të integrimit.

Por edhe Procesi i Berlinit duhet të kalojë në një fazë më konkrete.

Nuk mjafton të flitet për tregun e përbashkët rajonal, lëvizjen e lirë dhe bashkëpunimin ekonomik. Duhet të ndërtohen projekte që krijojnë lidhje të reja fizike, hapin tregje dhe ndryshojnë pozitën ekonomike të rajonit.

Ballkani duhet të kalojë nga integrimi i deklaratave në integrimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe interesave të përbashkëta.

3. VLORË–OTRANTO: NJË LIDHJE E RE STRATEGJIKE NDËRMJET BALLKANIT DHE ITALISË

Një nga projektet që mund t’i japë përmbajtje të re këtij vizioni është ideja e një lidhjeje të përhershme infrastrukturore nënujore ndërmjet Vlorës dhe Otrantos.

Kjo lidhje do të krijonte një mundësi të re për ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor me Italinë dhe, përmes saj, me rrjetin ekonomik dhe transportues të Evropës Perëndimore.

Ideja nuk duhet parë thjesht si ndërtim i një tuneli nën Adriatik, por si krijim i një korridori të ri strategjik rrugor dhe hekurudhor.

Një projekt i tillë do të mund të përfshinte:

Lidhje nëntokësore për transportin rrugor.
Tunel të veçantë hekurudhor.
Transport modern të udhëtarëve dhe mallrave.
Integrim me portet, terminalet logjistike dhe qendrat industriale.
Lidhje me rrjetet kombëtare dhe evropiane të transportit.
Në këtë mënyrë, Adriatiku nuk do të ishte vetëm një hapësirë detare ndërmjet dy brigjeve, por një hapësirë e re lidhëse ndërmjet Evropës Juglindore dhe Italisë.

Për Shqipërinë, kjo do të krijonte mundësi të reja për zhvillimin e infrastrukturës dhe pozitës së saj si nyje transporti ndërmjet Ballkanit dhe Evropës.

Për Italinë, do të krijonte një lidhje të re me tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore.

Për Kosovën, do të hapte një perspektivë të re për qasje në tregjet italiane dhe evropiane përmes Shqipërisë.

Por rëndësia e këtij projekti nuk përfundon te këto tri shtete.

Ai duhet të konceptohet si pjesë e një rrjeti më të gjerë ekonomik rajonal, ku të gjitha vendet e Ballkanit mund të përfitojnë.

4. KORRIDORI VIII: BOSHTI QË E LIDH ADRIATIKUN ME DETIN E ZI

Një projekt i tillë merr rëndësi edhe më të madhe kur vendoset në raport me Korridorin VIII.

Korridori VIII përfaqëson një nga boshtet strategjike të transportit lindje–perëndim, që lidh hapësirën e Adriatikut me Bullgarinë dhe Detin e Zi, përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Rëndësia e tij është riafirmuar edhe në deklaratën e përbashkët të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Rumanisë në Tiranë, më 18 shkurt 2026.

Ky zhvillim dëshmon se bashkëpunimi ndërmjet shteteve mund të mbështetet në interesa konkrete infrastrukturore, pa qenë e nevojshme të krijohen struktura të reja politike me ambicie rajonale.

Korridori VIII dhe lidhja Vlorë–Otranto mund të funksionojnë si dy pjesë plotësuese të një vizioni të përbashkët.

Njëri forcon lidhjen e Ballkanit me Italinë dhe Adriatikun, ndërsa tjetri e shtrin këtë ndërlidhje drejt Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Detit të Zi.

Kosova mund të integrohet në këtë rrjet përmes lidhjeve infrastrukturore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina mund të përfitojnë nga zhvillimi i lidhjeve të Adriatikut dhe integrimi në rrjetet rajonale.

Shtetet e tjera të rajonit mund të forcojnë lidhjet e tyre me korridoret evropiane dhe vendet fqinje.

Rumania dhe Bullgaria mund të forcojnë lidhjet e tyre me Adriatikun dhe Italinë.

Kjo është pikërisht logjika që duhet të udhëheqë integrimin rajonal: jo krijimi i një qendre politike dhe i një rrethi shtetesh rreth saj, por ndërtimi i një rrjeti ku secili vend ka mundësi të lidhë ekonominë e vet me ekonomitë e tjera.

5. NJË PROJEKT GJITHËPËRFSHIRËS, PA PËRJASHTIME DHE PA DOMINIM POLITIK

Një nga parimet themelore të një integrimi të qëndrueshëm rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirja. Asnjë shtet i Ballkanit nuk duhet të përjashtohet nga mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të përbashkët, për shkak të dallimeve politike, interesave kombëtare apo marrëdhënieve dypalëshe.

Projekti Vlorë–Otranto, i ndërlidhur me Korridorin VIII, duhet të konceptohet si një korridor i hapur strategjik, ku të gjitha vendet e rajonit mund të gjejnë interesin dhe mundësinë e tyre të pjesëmarrjes.

Thelbi i këtij vizioni nuk është krijimi i një blloku të ri politik, as ndërtimi i një mekanizmi ndikimi nga një shtet mbi të tjerët. Është krijimi i një rrjeti ekonomik dhe infrastrukturor ku secili shtet kontribuon sipas mundësive të tij dhe përfiton në bazë të interesave të përbashkëta.

Një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në barazinë sovrane, transparencën institucionale, vendimmarrjen e përbashkët dhe respektimin e interesave të të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Asnjë shtet nuk duhet të ketë pozitë privilegjuese në përcaktimin e prioriteteve, drejtimit apo përfitimeve të projekteve të përbashkëta. Madhësia ekonomike, pesha politike apo pozita gjeografike nuk mund të shndërrohen në instrumente dominimi.

Pjesëmarrja duhet të jetë e hapur për të gjitha shtetet e rajonit, mbi bazën e kritereve të njëjta dhe të qarta. Secili duhet të ketë mundësi të kontribuojë, të investojë dhe të përfitojë nga zhvillimi i infrastrukturës së përbashkët.

Kjo është rruga drejt një integrimi të vërtetë: jo përmes krijimit të qendrave të reja të ndikimit politik, por përmes ndërtimit të interesave ekonomike që i lidhin shtetet në mënyrë të barabartë dhe afatgjatë.

Një korridor që krijon mundësi për të gjithë është shumë më i vlefshëm se një iniciativë që i bashkon vetëm disa shtete rreth një agjende të kufizuar politike.

6. BASHKËPUNIMI ME EVROPËN, JAPONINË DHE KINËN: KONKURRENCË NDËRKOMBËTARE, JO VARËSI NGA NJË PARTNER I VETËM

Një projekt i kësaj përmase kërkon bashkëpunim me kompanitë dhe institucionet më të specializuara ndërkombëtare.

Evropa, Japonia dhe Kina kanë kapacitete të rëndësishme teknologjike dhe përvojë në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Prandaj, vlerësimi i mundësive për realizimin e projektit duhet të mbështetet në konkurrencë ndërkombëtare, transparencë dhe kritere të qarta teknike e financiare.

Nuk duhet të paragjykohet se cili partner është më i përshtatshëm përpara se të shqyrtohen mundësitë reale.

Interesi i shteteve pjesëmarrëse duhet të jetë cilësia, siguria, qëndrueshmëria ekonomike dhe përfitimi afatgjatë.

Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të jetë i hapur, por vendimmarrja strategjike duhet të mbetet në duart e shteteve pjesëmarrëse dhe institucioneve të tyre.

7. FINANCIMI: NJË INVESTIM STRATEGJIK ME PËRKRAHJE EVROPIANE DHE NDËRKOMBËTARE

Një projekt i tillë nuk mund të mbështetet vetëm në buxhetet kombëtare.

Ai duhet të trajtohet si projekt me interes ndërkombëtar, me mundësi financimi përmes mekanizmave evropianë, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe kapitalit privat.

Bashkimi Evropian mund të jetë një partner i rëndësishëm përmes instrumenteve të financimit të infrastrukturës strategjike, si Connecting Europe Facility dhe Western Balkans Investment Framework.

Banka Evropiane e Investimeve, BERZH dhe institucionet e tjera financiare mund të shqyrtojnë mundësitë për kredi afatgjata, garanci dhe instrumente të tjera financiare.

Italia dhe Shqipëria do të kishin rol të drejtpërdrejtë në zhvillimin e lidhjes Vlorë–Otranto, ndërsa Kosova dhe shtetet e tjera do të mund të merrnin pjesë në zhvillimin e infrastrukturës lidhëse dhe në mekanizmat e përbashkët të bashkëpunimit.

Pjesëmarrja financiare duhet të përcaktohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me kapacitetet dhe përfitimet e secilit shtet.

Parimi themelor duhet të jetë që asnjë vend të mos mbajë barrë joproporcionale dhe asnjë partner të mos marrë përfitime të padrejta.

8. KOSOVA DHE SHQIPËRIA: NGA AFËRSIA GJEOGRAFIKE TE INTEGRIMI REAL EKONOMIK

Për Kosovën dhe Shqipërinë, ky vizion ka një rëndësi të veçantë.

Afërsia gjeografike, lidhjet historike dhe marrëdhëniet ekonomike nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me infrastrukturë moderne dhe lidhje të drejtpërdrejta transporti.

Kosova, si shtet pa dalje në det, ka interes strategjik të ketë më shumë alternativa për qasje në tregjet ndërkombëtare.

Një lidhje e zhvilluar hekurudhore dhe rrugore përmes Shqipërisë do të krijonte mundësi të reja për eksportet kosovare, transportin industrial, zhvillimin e qendrave logjistike dhe tërheqjen e investimeve.

Shqipëria, nga ana tjetër, do të mund të forconte pozitën e saj si portë infrastrukturore e Kosovës drejt Adriatikut dhe Italisë.

Megjithatë, ky bashkëpunim nuk duhet të kufizohet vetëm te marrëdhëniet dypalëshe.

Ai duhet të jetë pjesë e një vizioni më të gjerë rajonal, ku edhe shtetet e tjera përfitojnë nga zhvillimi i infrastrukturës dhe nga hapja e mundësive të reja ekonomike.

Kështu, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ishte një projekt i mbyllur, por një kontribut në integrimin ekonomik të të gjithë Ballkanit.

9. BALLKANI DUHET TË KALOJË NGA KONKURRENCA POLITIKE NË KONKURRENCË PËR ZHVILLIM

Një nga problemet më të mëdha të rajonit është se shumë iniciativa vazhdojnë të shihen përmes rivaliteteve politike, ndikimit ndërkombëtar dhe interesave afatshkurtra të qeverive.

Ndërkohë, qytetarët kanë nevojë për vende pune, investime, transport më të lirë, lidhje më të mira dhe perspektivë ekonomike.

Në vend që shtetet të konkurrojnë se kush do të ketë ndikim më të madh politik në rajon, ato duhet të konkurrojnë se kush do të ndërtojë infrastrukturë më të mirë, do të tërheqë më shumë investime dhe do të krijojë më shumë mundësi për qytetarët.

Një sistem i përbashkët transporti do të krijonte interes ekonomik për të gjitha palët.

Një lidhje e re ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të përfitonte edhe nga mallrat e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera.

Zhvillimi i Korridorit VIII do të forconte tregtinë ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi.

Lidhjet me portet, hekurudhat dhe qendrat industriale do të krijonin mundësi të reja për ekonomitë e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Kjo është logjika e një integrimi që prodhon vlerë të përbashkët.

Nuk ka nevojë që një shtet të humbasë për të fituar një tjetër. Përkundrazi, zhvillimi i një korridori mund të krijojë mundësi të reja për të gjithë rrjetin ekonomik.

10. NGA IDEJA NË NJË AGJENDË TË PËRBASHKËT EVROPIANE

Për ta shndërruar këtë vizion në një çështje serioze të debatit politik dhe ekonomik, Shqipëria, Italia dhe Kosova mund të marrin iniciativën për hapjen e një procesi ndërqeveritar diskutimi, duke ftuar edhe shtetet e tjera të interesuara të rajonit.

Ky proces duhet të synojë:

Trajtimin e lidhjes Vlorë–Otranto si projekt strategjik ndërkombëtar.
Ndërlidhjen e tij me zhvillimin e Korridorit VIII.
Pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të interesuara të Ballkanit.
Përfshirjen e institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Krijimin e një mekanizmi transparent bashkëpunimi dhe vendimmarrjeje.
Vlerësimin profesional të mundësive për realizimin e projektit.
Në fazat e mëvonshme, ekspertët dhe institucionet përkatëse do të duhej të përcaktonin aspektet teknike, ekonomike, mjedisore dhe financiare.

Por përpara të gjitha këtyre qëndron një çështje politike: a ekziston vullneti që vendet e rajonit të bashkëpunojnë për një projekt madhor, ku secili të jetë partner i barabartë?

Kjo do të ishte një provë konkrete e pjekurisë politike të Ballkanit.

PËRFUNDIM

BALLKANI NUK KA NEVOJË PËR QENDRA TË REJA INFLUENCE, POR PËR LIDHJE TË REJA ZHVILLIMI

Përvoja e viteve të fundit ka treguar se bashkëpunimi rajonal nuk mund të ndërtohet vetëm mbi deklarata politike, marrëveshje administrative dhe iniciativa që nuk gëzojnë mbështetjen e të gjitha shteteve.

Mini-Schengeni dhe Open Balkani nuk arritën të krijonin një model gjithëpërfshirës të integrimit rajonal. Problemet e pjesëmarrjes, mungesa e besimit dhe shqetësimet për përqendrimin e ndikimit politik e ekonomik tregojnë se rajoni ka nevojë për një qasje tjetër.

Kritika ndaj këtyre iniciativave nuk është kritikë ndaj bashkëpunimit me ndonjë vend të rajonit. Përkundrazi, është kërkesë për një bashkëpunim më të drejtë, më transparent dhe më të qëndrueshëm.

Të gjitha shtetet e Ballkanit kanë vendin e tyre në të ardhmen ekonomike të rajonit. Por ky bashkëpunim duhet të ndërtohet mbi partneritetin dhe barazinë, jo mbi pretendime për rol dominues.

Një Ballkan i integruar nuk mund të jetë një Ballkan ku një shtet përcakton drejtimin dhe të tjerët përshtaten. Ai duhet të jetë një hapësirë ku të gjitha shtetet marrin pjesë në vendimmarrje dhe përfitojnë nga zhvillimi i përbashkët.

Lidhja Vlorë–Otranto dhe zhvillimi i Korridorit VIII përfaqësojnë një mundësi për ta konkretizuar këtë vizion.

Ato mund të shndërrohen në simbole të një filozofie të re bashkëpunimi: nga konkurrenca për ndikim politik drejt konkurrencës për zhvillim ekonomik; nga marrëveshjet e kufizuara drejt projekteve strategjike; nga varësitë e ndërsjella politike drejt ndërvarësisë ekonomike të bazuar në interes reciprok.

Evropa ka nevojë për një Ballkan të lidhur më mirë, më të zhvilluar dhe më të qëndrueshëm. Ballkani, nga ana tjetër, ka nevojë për projekte që e afrojnë realisht me Evropën.

Ndoshta ka ardhur koha që suksesi i integrimit rajonal të mos matet më me numrin e takimeve dhe marrëveshjeve politike, por me kilometrat e hekurudhave të ndërtuara, korridoret e reja të hapura, investimet e realizuara dhe mundësitë ekonomike të krijuara për qytetarët.

Ballkani nuk ka nevojë për një Mini-Schengen politik dhe as për një Open Balkan të ndërtuar rreth ndikimit të një qendre të vetme. Ka nevojë për një Ballkan të hapur ndaj Evropës, por të ndërtuar mbi barazinë e shteteve, sovranitetin, transparencën dhe interesin e ndërsjellë.

Më pak politikë dominimi, më shumë ekonomi bashkëpunimi. Më pak deklarata, më shumë projekte. Më pak ndarje, më shumë ura.

FUSNOTAT DHE BURIMET BIBLIOGRAFIKE

[1] Radio Free Europe / Radio Liberty (RFE/RL), Maja Leđenac dhe Norbert Šinković, “Vučić, Zaev i Rama potpisali deklaraciju o slobodnom protoku robe i ljudi”, 10 tetor 2019, Novi Sad. Raportim mbi themelimin e iniciativës Mini-Schengen dhe deklaratën e përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

[2] Radio Free Europe / Radio Liberty (RFE/RL), “Novi izazovi donedavnog ‘Mini Šengena’”, korrik 2021. Analizë mbi zhvillimin e iniciativës dhe kalimin e saj në formatin Open Balkan.

[3] Berlin Process, “Final Declaration by the Chair of the Conference on the Western Balkans”, Berlin, 28 gusht 2014. Dokumenti themelues i Procesit të Berlinit, veçanërisht pjesa mbi bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

[4] Regional Cooperation Council (RCC), “Common Regional Market Action Plan 2025–2028”, miratuar më 14 tetor 2024, Berlin. Dokument strategjik mbi fazën e dytë të Tregut të Përbashkët Rajonal në Ballkanin Perëndimor, 2025–2028.

[5] European Commission, “Trans-European Transport Network (TEN-T)”. Dokumentacioni institucional mbi rrjetin evropian të transportit, korridoret kryesore dhe ndërlidhjen infrastrukturore ndërmjet vendeve evropiane.

[6] Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, “Tirana Joint Declaration on Corridor VIII”, Tiranë, 18 shkurt 2026. Deklarata e përbashkët e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Rumanisë mbi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII.

[7] European Parliament and Council of the European Union, Regulation (EU) 2021/1153 of 7 July 2021, establishing the Connecting Europe Facility (CEF). Official Journal of the European Union, L 249, 14 July 2021, pp. 38–81.

[8] Western Balkans Investment Framework (WBIF), dokumentacioni institucional mbi financimin, përgatitjen dhe zbatimin e projekteve strategjike infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor.

[9] European Investment Bank (EIB), dokumentacioni institucional mbi financimin e projekteve të transportit, infrastrukturës strategjike dhe ndërlidhjes evropiane.

[10] European Bank for Reconstruction and Development (EBRD), dokumentacioni dhe raportet mbi investimet infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe ndërlidhjen rajonale në Ballkanin Perëndimor.

[11] European Commission, Directorate-General for Mobility and Transport, “Cross-Border Infrastructure Projects – Fehmarnbelt Fixed Link”, dokumentacion teknik dhe financiar mbi lidhjen fikse hekurudhore dhe rrugore ndërmjet Danimarkës dhe Gjermanisë, 2017. Projekti parashikon një tunel nënujor rreth 18–19 kilometra të gjatë, me hekurudhë elektrike dhe autostradë.

[12] China Communications Construction Company (CCCC), “Concrete Casting of Final Joint of Shenzhen-Zhongshan Link’s Subsea Tunnel Completed”, 14 mars 2023. Dokumentacion teknik mbi tunelin nënujor 6.8 kilometra të gjatë, me tetë korsi komunikacioni.

[13] Yari, Sadegh; Kovačević, Vedrana; Cardin, Vanessa; Gačić, Miroslav; Bryden, Harry L., “Direct Estimate of Water, Heat, and Salt Transport Through the Strait of Otranto”, Journal of Geophysical Research: Oceans, Vol. 117, Issue C9, 6 shtator 2012, Article C09009, DOI: 10.1029/2012JC007936. Studim shkencor mbi karakteristikat oqeanografike dhe shkëmbimin e masave ujore në Ngushticën e Otrantos.

Prishtinë,09.11.2026