Zelensky akuzon Rusinë: Aeroplani im u shënjestrua dy herë në Moldavi

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia ka shënjestruar dy herë aeroplanin presidencial me të cilin ai udhëtonte nëpër hapësirën ajrore të Moldavisë gjatë javëve të fundit.

Në një intervistë për CBS, Zelensky tha se një nga incidentet ndodhi gjatë udhëtimit të tij drejt Norvegjisë, ndërsa një tjetër gjatë kthimit në Ukrainë.

“Aeroplani im presidencial ishte në Moldavi dhe për këtë arsye ata sulmuan Moldavinë. Kur u kthyem në shtëpi, përsëri përmes Kishinauit, ata bënë të njëjtën gjë”, deklaroi Zelensky.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, kishte bërë të ditur më herët se aeroplani me të cilin udhëtonte Zelensky ishte “pothuajse goditur” nga një dron në hapësirën ajrore moldave, teksa presidenti ukrainas po nisej drejt Oslos më 9 shtator.

“Ky është realiteti në të cilin ai jeton”, kishte deklaruar Støre.

Zelensky tha se një ose dy dronë kishin hyrë gjithashtu në hapësirën ajrore të Moldavisë gjatë kthimit të tij drejt Ukrainës, disa ditë pas vizitës në Norvegji.

Zyrtarët ukrainas deklaruan më vonë se të gjithë anëtarët e delegacionit presidencial ishin të sigurt. Në atë kohë, megjithatë, nuk ishte e qartë nëse incidenti ishte i qëllimshëm apo jo.

Zelensky e ka lidhur ngjarjen me atë që ai e përshkruan si një strategji ruse për të frikësuar liderët e huaj dhe për të ushtruar presion përmes kërcënimeve ndaj tyre.

Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë në një periudhë kur incidentet me dronë dhe shkeljet e hapësirës ajrore në Evropën Lindore kanë shtuar shqetësimet për sigurinë rajonale.