Përleshja për një shezlong përfundon në tragjedi në plazh: 82-vjeçari humb jetën

Një debat për një shejlong në hije në një plazh të njohur pranë Athinës ka përfunduar me një fatalitet. Një 82-vjeçar ndërroi jetë në spital të dielën, pasi u përfshi në një përleshje fizike me një 76-vjeçar.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 09:00 në plazhin Vouliagmeni, në jug të Athinës. Sipas raportimeve të mediave greke, 82-vjeçari kishte mbërritur së bashku me bashkëshorten dhe kishte zënë dy shezlongë të lirë.

Pak më vonë, në plazh mbërriti një 76-vjeçar i shoqëruar nga një 21-vjeçare. Mes dy çifteve nisi një debat për vendet në plazh, ndërsa situata u tensionua për shkak të kërkesës së madhe për shezlongët në hije.

Katër tentativa për ta shpëtuar

Gjatë konfliktit, 21-vjeçarja shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua në pikën mjekësore të plazhit.

Por tensionet nuk u shuan. Kur 76-vjeçari u kthye, mes dy burrave shpërtheu sërish konflikti, i cili këtë herë kaloi në përleshje fizike.

Në mes të incidentit, 82-vjeçari u rrëzua përtokë dhe humbi ndjenjat. Sipas gazetës greke Protothema, ekipet e emergjencës tentuan katër herë ta reanimonin, duke përdorur edhe defibrilatorin. Përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.

82-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por rreth një orë më vonë ndërroi jetë.

“Dëgjuam ulërima dhe pamë një sherr”

Në momentin e incidentit, plazhi ishte i mbushur me pushues. Disa prej tyre dëshmuan përleshjen.

“Dëgjuam ulërima, vrapuam për të parë se çfarë po ndodhte dhe pamë një sherr”, tha një dëshmitar për Protothema.

Sipas raportimeve, 76-vjeçari dhe shoqëruesja e tij 21-vjeçare janë shoqëruar në polici.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes së 82-vjeçarit dhe nëse ajo lidhet drejtpërdrejt me përleshjen.

AKSION I MADH POLICOR: Bastisje në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, jozyrtarisht gjashtë të arrestuar