Pakënaqësia e presidentit amerikan Donald Trump ndaj disa aleatëve të NATO-s po shfaqet edhe në mënyrën se si Uashingtoni po organizon takimet me vendet anëtare të Aleancës.
Sipas gjashtë diplomatëve të njohur me planifikimin, administrata amerikane ka vendosur të mos ftojë disa prej aleatëve kryesorë në një takim të NATO-s që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm në Poloni. Mes vendeve të lëna jashtë janë Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe shtetet baltike.
Takimi, i organizuar nga shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, synon të diskutojë të ardhmen e NATO-s dhe mënyrat për forcimin e kapaciteteve të saj. Megjithatë, përjashtimi i disa prej vendeve me shpenzime të larta për mbrojtjen ka shkaktuar pikëpyetje dhe shqetësim te diplomatët e tyre.
Një zyrtar i një vendi anëtar të NATO-s, i cili nuk është ftuar në takim, tha se vendet po përpiqen të kuptojnë kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja.
“Po bëjmë gjithçka që na kërkojnë të bëjmë. Po përpiqemi të kuptojmë se cilat janë kriteret dhe cili është qëllimi i këtyre takimeve. Deri më tani, ata nuk na kanë përcjellë shumë”, tha zyrtari.
As Shtëpia e Bardhë dhe as Pentagoni nuk kanë komentuar mbi informacionet.
Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij kanë kritikuar vazhdimisht disa vende të NATO-s, veçanërisht për nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen dhe qëndrimin e tyre ndaj politikave amerikane.
Trump ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur një barrë të madhe financiare për mbrojtjen e aleatëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë bërë mjaftueshëm në mbështetje të interesave amerikane.
Në një postim të mëparshëm në Truth Social, ai shkroi se NATO-n e ka konsideruar gjithmonë si “një rrugë me një drejtim”, duke argumentuar se SHBA-ja shpenzon qindra miliarda dollarë për mbrojtjen e vendeve aleate.
Në prill, sipas Politico, Shtëpia e Bardhë kishte shqyrtuar mundësinë e krijimit të një liste me aleatë që mbështesin prioritetet e administratës Trump dhe të tjerë që nuk i përmbushin ato.
Një qasje e ngjashme është mbështetur edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili ka folur për nevojën e aleatëve që të kontribuojnë më shumë dhe të jenë në linjë me interesat amerikane.
Takimi i planifikuar në Poloni vjen pas dy takimeve të ngjashme, ku kanë marrë pjesë Norvegjia, Suedia, Finlanda, Polonia, Gjermania dhe Holanda. Ky format është njohur si “Grupi i Bergenit”.
Pjesëmarrësit kanë mohuar se synimi është krijimi i një ndarjeje brenda NATO-s. Sipas një diplomati të përfshirë në diskutime, grupi synon të hartojë propozime që më pas do t’i paraqiten të gjithë Aleancës.
“Kjo mund të veprojë si një motor transformimi” për të gjithë Aleancën, tha diplomati.
Megjithatë, ai pranoi se përjashtimi i disa vendeve ka shkaktuar zemërim, veçanërisht pasi disa prej tyre kanë përmbushur ose tejkaluar objektivat e shpenzimeve për mbrojtjen të kërkuara nga administrata amerikane.
Sipas një personi tjetër të njohur me planifikimin, Danimarka mund të shtohet në grup pas marrëveshjes me SHBA-në për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë.
Colby zhvilloi takimin e parë në Bergen të Norvegjisë në qershor, ku morën pjesë gjashtë aleatët e konsideruar më pranë qasjes së administratës amerikane.
Në një reagim pas takimit, Colby tha se aleatët që po përmbushin shpejt angazhimet për shpenzimet e mbrojtjes dhe janë të gatshëm të nisin punën kanë kapacitetin për të kontribuar.
Një diplomat tjetër paralajmëroi se përpjekja për ta ndarë NATO-n në “njerëz të mirë dhe njerëz të këqij” mund të krijojë probleme serioze.
“Nëse ata përpiqen ta ndajnë NATO-n në njerëz të mirë dhe njerëz të këqij, kjo është e rrezikshme për Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, për Evropën është çështje ekzistence”, tha ai.



