Ndërron jetë serbja Bilana Pllavshiq, e dënuar për krime lufte në Bosnje e Hercegovinë

Ish-presidentja e Republikës Serbe, Bilana Pllavshiq e dënuar për krime lufte, ka ndërruar jetë këtë mëngjes në Beograd në moshën 96-vjeçare.

Funerali i saj pritet të mbahet në Banja Llukë, transmeton Telegrafi.

Ajo ishte ish-dekane e Fakultetit të Shkencave në Universitetin e Sarajevës, ish-zyrtare e partisë SDS dhe ish-presidente e Aleancës Popullore Serbe (SNS).

Ajo u deklarua fajtore para Tribunalit të Hagës për persekutim mbi baza politike, racore dhe fetare dhe u dënua me 11 vjet burg në vitin 2003.

E akuzuar në vitin 2001 nga ICTY për krime të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, Plavshiq iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit.

Ajo ishte politikania e parë serbe që u deklarua fajtore (për një pikë të aktakuzës për persekutim mbi baza kombëtare dhe fetare, krim kundër njerëzimit) dhe, në këmbim, Prokuroria hoqi akuzat e tjera.

Ajo u dënua me 11 vjet burg më 27 shkurt 2003 dhe u dërgua për të vuajtur dënimin në burgun Hinseberg në Suedi. /Telegrafi/