Sulm kibernetik në 350 supermarkete në Francë

Një sulm i pazakontë kibernetik ka goditur të paktën 350 supermarkete në Francë, duke shkaktuar probleme të rënda në sistemet e ftohjes dhe duke detyruar hedhjen e tonelatave me mish, peshk dhe produkte të ngrira. Deri më tani, askush nuk e ka marrë përsipër sulmin dhe nuk është kërkuar asnjë shpërblim, çka e bën edhe më misterioze ngjarjen.

Sulmi ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe së hënës, kur hakerat arritën të merrnin kontrollin nga distanca të sistemeve të ftohjes në supermarkete të disa prej rrjeteve më të njohura në vend, përfshirë Carrefour, Monoprix, Intermarché dhe Coopérative U. Si pasojë, frigoriferët u nxehën, duke rrezikuar sasi të mëdha ushqimesh që kërkojnë ruajtje në temperatura të ulëta.

Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim për të zbuluar autorët dhe mënyrën se si u krye sulmi. Në hetime është përfshirë edhe agjencia franceze për sigurinë kibernetike, e cila po përpiqet të përcaktojë origjinën e sulmit dhe të kuptojë se si u arrit të merrej kontrolli i sistemeve të ftohjes.

Ajo që i shqetëson më shumë hetuesit është fakti se sulmi nuk shoqërohet me kërkesa për para dhe as nuk është përdorur për të përcjellë ndonjë mesazh politik. Zakonisht, grupet kriminale që kryejnë sulme të tilla kërkojnë para për të ndërprerë sulmin ose për të rikthyer sistemet në funksion, ndërsa grupet me motive politike shpesh e marrin publikisht përgjegjësinë për veprimet e tyre. Në këtë rast, nuk ka ndodhur asnjëra.

Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë në Evropë. Qeveria franceze ka ngritur nivelin e alarmit për shkak të shqetësimeve lidhur me operacionet hibride ruse. Për këtë arsye, një pjesë e dyshimeve janë drejtuar nga Moska, por deri tani nuk ka prova që konfirmojnë përfshirjen e Rusisë në sulmin ndaj supermarketeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar së fundmi takime me drejtuesit e partive politike dhe përfaqësuesit e shërbimeve të inteligjencës për të diskutuar rritjen e kërcënimeve. Ndërkohë, autoritetet kanë kërkuar shtimin e masave të sigurisë për infrastrukturat kritike dhe objektet e rëndësishme, për t’i mbrojtur ato nga sulmet kibernetike, sabotazhet dhe sulmet me dronë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, sulme të tilla mund të shkaktojnë dëme të mëdha edhe pa përdorur teknologji veçanërisht të avancuar. Në këtë rast, problemi mund të jetë lidhur me sistemet e vjetruara të kontrollit të frigoriferëve, shumë prej të cilëve përdornin pajisje të prodhuara nga kompania daneze Danfoss. Disa prej këtyre sistemeve nuk ishin përditësuar, ndërsa prodhuesi kishte këshilluar më herët klientët të instalonin versionet më të reja të programeve ose të zëvendësonin pajisjet e vjetra.

Pikërisht kjo e bën ngjarjen shqetësuese për autoritetet franceze: një dobësi teknike në pajisje të zakonshme mund të shkaktojë pasoja të mëdha ekonomike dhe të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët.

Në të njëjtat ditë, një problem informatik goditi edhe grupin holandez Ahold Delhaize, i cili zotëron supermarkete në Holandë dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Qendra Kombëtare Holandeze për Sigurinë Kibernetike ka përjashtuar një lidhje mes këtij incidenti dhe sulmit në Francë.

Për momentin, autorët e sulmit mbeten të panjohur, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse bëhet fjalë për një veprim kriminal, një sabotazh të organizuar apo një operacion me motive të tjera.