Lufta hibride, dezinformatat dhe algoritmet

Shkruan: Memedali Jusufi

Shqipëria dhe shqiptarët nuk gjenden thjesht gjeografikisht mes Lindjes dhe Perëndimit, por janë kthyer në një front aktiv të luftës hibride. Si një vend anëtar i NATO-s me orientim të qartë euroatlantik, Shqipëria shihet nga fuqitë autoritare si një “pikë hyrëse” për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe për të sfiduar ndikimin e SHBA-së dhe BE-së.
Lufta hibride nuk zhvillohet me tanke, por përmes sulmeve kibernetike, dezinformimit, manipulimit të opinionit publik, ndërhyrjes në zgjedhje dhe presionit ekonomik.
Koncepti i luftës hibride është pikërisht çelësi që shpjegon se si lindi dhe pse u përhap thashethemi se “Rama po ua dorëzon Shqipërinë hebrenjve”.]
Në mesin e vitit 2026, vetë kryeministri Edi Rama dhe ekspertët e sigurisë deklaruan se Shqipëria u bë shënjestër e një lufte hibride të orkestruar nga jashtë (ku dyshohet kryesisht Irani për shkak të përplasjeve të njohura gjeopolitike dhe kibernetike me Shqipërinë).
Përplasja Lindje-Perëndim merr nuanca specifike këtu sepse Shqipëria konsiderohet si “pika e ankorimit” të interesave të SHBA-së dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor. Për fuqitë rivale (si Moska zyrtare), goditja e Shqipërisë apo e Kosovës përmes operacioneve hibride shërben si një mënyrë e lirë dhe me rrezik të ulët për të krijuar një “zonë gri” pas shpinës së NATO-s
Për Rusinë, Ballkani Perëndimor është një terren ideal për të hapur një “front të dytë” që do të tërhiqte vëmendjen e NATO-s nga lufta në Ukrainë.
Moska përdor dezinformimin mediatik, fabrikesat e lajmeve, financimet e fshehta politike dhe rrjetet e saj të inteligjencës. Ajo synon të nxisë ndarje etnike dhe fetare ndër shqiptarët dhe të minojë besimin te procesi i integrimit në BE.
Megjithate Rusia nuk ndërhyn drejtpërdrejt. Ajo përdor rrjete të strukturuara të inteligjencës, klerit fetar radikal, grupeve të krimit të organizuar dhe strukturave paramilitare. Këto grupe trajnohen në hije për të provokuar trazira në momentin e duhur politik.
Ku janë vatrat më të rrezikshme të konfliktit?
Në hartën e prapaskenave gjeopolitike, ekzistojnë tre “pika të nxehta” ku tensionet mund të kalojnë nga hibride në fizike:
Kosova (Arena e Eskalimit): Mbetet pika më e cenueshme. Çdo vakum politik ose tension lokal në veri të Kosovës instrumentalizohet nga Beogradi për të prezantuar një “pasiguri kombëtare të nxitur nga jashtë”, gjë që rrit rrezikun e përplasjeve të lokalizuara kufitare.
Bosnje dhe Hercegovina (Fronti i Dytë): Përpjekjet e vazhdueshme të liderit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkëputje dhe bllokim të institucioneve qendrore, po ushqehen në prapaskenë nga Moska për të krijuar një krizë kushtetuese që do të detyronte ndërhyrjen e NATO-s, duke shpërndarë kështu fokusin e aleatëve.
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut (Polarizimi i Brendshëm): Në këto vende lufta zhvillohet përmes vijave të ndarjes identitare, ku sulmet kibernetike dhe operacionet e ndikimit synojnë të sabotojnë stabilitetin qeverisës dhe t’i mbajnë këto vende në një gjendje ankthi të vazhdueshëm
Nuk mund të kuptohet lufta hibride moderne në Ballkan pa parë sinkronizimin e saj me mjetet e Federatës Ruse. Narrativat e vjetra serbe gjetën një aleat të fuqishëm te makineria e dezinformimit rus (si Sputnik dhe RT, të cilat operojnë lirshëm në rajon).
Përmes “fermave të boteve” (bot farms) dhe llogarive të koordinuara, të cilat manipuluan algoritmet e X (ish-Twitter) dhe Facebook, çdo tension lokal në veri të Kosovës apo në Bosnjë zmadhohet artificialisht. Kur ndodh një incident, këto llogari të automatizuara fillojnë të shpërndajnë hashtags dhe lajme të rreme të tipit “Lufta po fillon”, “NATO po përgatit sulm”, etj. Algoritmet e lexojnë këtë aktivitet të lartë artificial si një “lajm thyerës” (breaking news) dhe e shtyjnë atë në krye të faqes për miliona përdorues realë, duke shkaktuar panik të vërtetë në botën reale.
Algoritmet e rrjeteve sociale (Facebook, X, TikTok, YouTube) nuk janë të programuara për të mbrojtur të vërtetën; ato janë të programuara për të maksimizuar kohën e qëndrimit në platformë (Engagement). Platformat e zbuluan shpejt se emocionet negative si frika, revolta, urrejtja nacionaliste dhe teoritë e konspiracionit gjenerojnë më shumë klikime dhe ndarje (shares) sesa lajmet e matura dhe faktet.
Aktorët e luftës hibride e shfrytëzojnë këtë në mënyrë gjeniale:
Nëse një i ri në Ballkan klikon një video të thjeshtë mbi historinë, algoritmi i YouTube ose TikTok, duke kërkuar t’i ofrojë përmbajtje më “të nxehtë”, do të fillojë t’i sugjerojë video gjithnjë e më radikale, fjalime të Millosheviqit, apo interpretime konspirative të luftërave të fundit.
Shoqëria polarizohet totalisht. Përdoruesit mbyllen në flluska digjitale ku dëgjojnë vetëm jehonën e bindjeve të tyre, duke e bërë të pamundur dialogun shoqëror apo pajtimin etnik.
Lufta Hibride dhe dezinformimi strategjik në Ballkan-
Ivica Daçiq: Tranzicioni drejt “Post-Së Vërtetës” dhe Diplomacisë Hibride
Lufta hibride shpesh trajtohet si një fenomen modern, i lindur në epokën e internetit dhe i perfeksionuar nga doktrinat ushtarake të shekullit XXI (si Doktrina Gerasimov). Megjithatë, në gadishullin Ballkanik, ky lloj i luftës — që ndërthur mjetet ushtarake me ato joushtarake, dezinformimin, operacionet psikologjike dhe manipulimin e historisë — ka një zbatim shumë më të hershëm. Ky punim analizon linjën e pandërprerë ideologjike dhe praktike që lidh ideologun e nacionalizmit serb, Dobrica Qosiq, zbatuesin e tij politik, Sllobodan Millosheviq, dhe pasardhësit e tyre modernë si Ivica Daçiq, duke vënë theksin se si kjo trashëgimi e vjetër propagandistike është automatizuar dhe fuqizuar sot përmes algoritmeve të platformave digjitale.Në qendër të asaj që sot e quajmë “dezinformim strategjik” në Ballkan, qëndron figura e shkrimtarit dhe akademikut Dobrica Qosiq. Ai nuk ishte thjesht një letrar, por arkitekti shpirtëror i Memorandumit të SANU-t (1986). Qosiq bëri një hap radikal në filozofinë politike: ai e zhveshi gënjeshtrën nga barra e saj morale dhe e ngriti atë në nivelin e një vlere kombëtare dhe patriotike.
Sipas Qosiqit, gënjeshtra për serbët është një formë e “mbijetesës”. Kur ai shkruan se “gënjeshtra është në vetë qenien e serbit” dhe se ajo shërben për “të fshehur mjerimin tonë”, ai po krijonte një mburojë psikologjike për masat. Kjo doktrină legjitimoi paraprakisht çdo manipulim të fakteve historike. Nëse e vërteta objektive nuk i shërbente interesit të shtetit, ajo duhej zëvendësuar me një “të vërtetë të dobishme”. Ky është pikërisht përkufizimi i parë dhe më i pastër i dezinformimit shtetëror (Disinformation).
Sllobodan Millosheviqi (i njohur si Slloboja) e mori këtë konstrukt teorik të Qosiqit dhe e ktheu në një makineri shtetërore të luftës psikologjike. Gjatë viteve ’90, dezinformimi u industrializua përmes kontrollit absolut të Radio Televizionit të Serbisë (RTS) dhe gazetave si Politika.
Strategjia e Millosheviqit bazohej në dy shtylla kryesore:
: Për të arsyetuar agresionin ushtarak në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, popullsia serbe duhej bindur se ishte në rrezik të menjëhershëm nga një “gjenocid i ri”. Mediat shpirtëzonin lajme të rreme për foshnja të vrara apo serbë të persekutuar, duke krijuar një histeri kolektive.
Kur bota shihte bombardimin e Sarajevës apo spastrimin etnik në Kosovë, makineria e Millosheviqit pretendonte se “ata po bombardojnë veten” për të fajësuar Serbinë. Kjo teknikë e mohimit dhe rrotullimit të fajit la gjurmë të thella në memorien politike të rajonit
Ivica Daçiq: Tranzicioni drejt “Post-Së Vërtetës” dhe Diplomacisë Hibride
Ivica Daçiq, si ish-zëdhënës i partisë së Millosheviqit (SPS) dhe si figurë qendrore e politikës së jashtme të Serbisë për dekada me radhë, përfaqëson adaptimin e kësaj shkolle të vjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare moderne. Daçiq e kuptoi se në shekullin XXI, në epokën e “Post-Truth” (Post-së Vërtetës), nuk është më e rëndësishme të kesh të drejtë, por të krijosh mjaftueshëm konfuzion sa që opinioni publik të mos dijë më se kujt t’i besojë.
Nën drejtimin e tij dhe të strukturave aktuale, naracioni i vjetër mori një petk të ri diplomacie. Fushatat e “çnjohjeve” të Kosovës shpesh u shoqëruan me shpërndarje të dokumenteve të falsifikuara ose interpretimeve të njëanshme ligjore në vendet e Botës së Tretë. Në shtëpi, Daçiq vazhdon të përdorë gjuhën e Millosheviqit, por të paketuar për konsum televiziv modern: duke relativizuar krimet e luftës dhe duke e paraqitur Serbinë si një urë mes Perëndimit dhe Lindjes (Rusisë/Kinës), ndërkohë që zbaton metodat e tyre të ndikimit.
Këtu ndodh thyerja e madhe teknologjike. Në kohën e Qosiqit duheshin vite që një libër apo memorandum të infektonte mendjet e elitës. Në kohën e Millosheviqit duhej ditarizimi i lajmeve në orën 19:30. Sot, në kohën e Daçiqit dhe epokës digjitale, narrativa shpërndahet në milisekonda direkt në ekranin e telefonit të çdo qytetari.