Bërvenica, test i pakënaqësisë ndaj qeverisjes dhe unitetit politik shqiptar!

Partitë që janë në pushtet, veçanërisht VMRO-DPMNE-ja, shpesh shfaqin prirjen për ta përqendruar sa më shumë pushtetin dhe ndikimin politik, duke synuar kontroll mbi institucionet dhe proceset vendimmarrëse. Në vend që energjia politike të përqendrohet te reformat, zhvillimi dhe përmbushja e kushteve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, skena politike dominohet nga përplasjet me kundërshtarët.

Kur kryeministri i trajton si kundërshtarë, madje edhe si armiq, ata që nuk mendojnë dhe nuk votojnë njësoj si ai, siç ndodh në debatin politik rreth Bërvenicës, lind një pyetje thelbësore: a po e kuptojmë demokracinë si respektim të mendimit ndryshe, apo si nënshtrim ndaj vullnetit të atij që e ka shumicën në pushtet?

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, një komunë kryesisht rurale që përfshin disa vendbanime, kanë një rëndësi që shkon përtej kompetencave të kufizuara të kryetarit të saj. Pavarësisht se kush do të zgjidhet, sfidat e përditshme të qytetarëve nuk do të ndryshojnë vetvetiu. Për këtë arsye, shtrohet pyetja nëse ky proces zgjedhor do të sjellë ndonjë ndryshim konkret në jetën e qytetarëve, apo do të shndërrohet kryesisht në një përballje të forcave politike për ndikim dhe legjitimitet.

Në këtë kontekst, është e kuptueshme që opozita ta shohë këtë proces si një mundësi për të matur disponimin e qytetarëve ndaj qeverisjes dyvjeçare dhe për të vlerësuar nëse ekziston një pakënaqësi e tillë që do të justifikonte kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, rezultati në një komunë të vetme nuk mund të konsiderohet automatikisht pasqyrë e vullnetit të gjithë elektoratit në nivel shtetëror.

Për partitë politike shqiptare, Bërvenica paraqet një sfidë tjetër, që lidhet me bashkëpunimin politik dhe përfaqësimin e vullnetit të shumicës. Bashkimi rreth një kandidati të përbashkët shqiptar do të mundësonte një garë më të qartë mbi bazën e vullnetit të votuesve shqiptarë dhe do t’i jepte kuptim edhe simbolik përfaqësimit të tyre në këtë komunë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për emrin e kryetarit, as për madhësinë e kompetencave të tij. Bëhet fjalë për një parim themelor demokratik: shumica e votuesve duhet të ketë mundësinë që, përmes votës së lirë, të përcaktojë se kush do ta udhëheqë komunën. Ky parim duhet të vlejë njësoj për të gjithë qytetarët, pa dallim etnik apo politik.

Prandaj, zgjedhjet në Bërvenicë mund të shërbejnë si një test i rëndësishëm për disa çështje themelore:

– A ekziston pakënaqësi e qytetarëve ndaj qeverisjes aktuale dhe sa mund të reflektohet ajo në nivel më të gjerë politik?
– A do të respektohet vullneti i lirë i votuesve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe politike?
– A do të arrijnë partitë shqiptare të tejkalojnë ndasitë partiake kur bëhet fjalë për përfaqësimin dhe interesin e përbashkët?
– A do të mbizotërojë logjika demokratike e votës, apo logjika e fuqisë politike dhe e marrëveshjeve ndërmjet partnerëve të pabarabartë?

Në fund, çështja nuk është thjesht se kush do ta fitojë një komunë me kompetenca të kufizuara. Çështja është nëse institucionet dhe partitë politike do ta respektojnë demokracinë si vlerë, apo do ta përdorin atë vetëm kur u përshtatet interesave të tyre.

Bërvenica mund të jetë një komunë e vogël në hartën politike të vendit, por mesazhi që do të përcillet nga këto zgjedhje mund të jetë shumë më i madh: demokracia nuk matet vetëm me atë se kush e merr pushtetin, por edhe me mënyrën se si respektohet vullneti i lirë i qytetarëve.