Gjyqësori i Anglisë dhe Uellsit ka publikuar një qëndrim të ri zyrtar për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë, duke përcaktuar se AI mund të përdoret si mjet ndihmës, por nuk mund të marrë vendime apo të zëvendësojë arsyetimin e gjyqtarëve.
Dokumenti, i publikuar më 9 tetor 2026 në faqen zyrtare të Courts and Tribunals Judiciary, përcakton mënyrën se si AI duhet të përdoret, kontrollohet dhe mbikëqyret në punën gjyqësore.
Faqja zyrtare sqaron se sistemi gjyqësor i trajtuar prej saj është ai i Anglisë dhe Uellsit, ndërsa disa pjesë të sistemit të tribunaleve kanë juridiksion më të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas deklaratës, çdo vendim gjyqësor duhet të merret nga një zyrtar gjyqësor. Inteligjenca artificiale mund të asistojë, por nuk duhet të zëvendësojë arsyetimin, vlerësimin e provave apo diskrecionin e gjyqtarit.
Dokumenti kërkon gjithashtu që çdo rezultat i prodhuar nga AI dhe i përdorur në punën gjyqësore të kontrollohet, verifikohet dhe miratohet nga gjyqtari përgjegjës, i cili mban përgjegjësinë përfundimtare.
Autoritetet gjyqësore kanë testuar deri tani përdorime të konsideruara me rrezik më të ulët, si përmbledhja dhe analiza e dokumenteve, transkriptimi, redaktimi i informacionit sensitiv, ndërtimi i kronologjive dhe shkrimi në një gjuhë më të kuptueshme.
Për qëllime gjyqësore do të lejohen vetëm mjete AI të miratuara. Sipas dokumentit, ato duhet të kenë ruajtjen e të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar, mbrojtje të nivelit “enterprise” dhe aksesin në internet të çaktivizuar.
Çdo mjet apo përdorim i ri do të shqyrtohet nga një grup qendror drejtues, i kryesuar nga gjyqtari përgjegjës për Inteligjencën Artificiale. Ky grup do të vlerësojë aspektet ligjore, etike, operative, të sigurisë dhe të mbrojtjes së të dhënave përpara përdorimit më të gjerë.



