Vdekje misterioze në një klinikë në Irkutsk të Rusisë: Pas dyshimeve për murtajë në Siberi, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul (63 vjeç, CDU) ngre alarmin në gazetën BILD dhe nuk përjashton kufizimet e udhëtimit!
BILD
Pas vdekjes së një studiueseje të murtajës, e cila sipas Kremlinit vdiq nga pneumonia, Wadephul i kërkon Moskës transparencë të plotë.
“Bota ka pyetje, të cilave Rusia i detyrohet përgjigje”, thotë Wadephul. Ai nuk përjashton as vendosjen e “kufizimeve të rrepta të udhëtimit” për të mbrojtur Evropën. “Nuk mund të marrim dhe nuk do të marrim asnjë rrezik përsipër”, thekson ministri.
Sfondi i ngjarjes: Më 2 tetor, në Siberi, vdiq një laborante e re, 28 vjeçe, e cila punonte në një institut kundër murtajës. Mediat ruse shkruajnë se më parë kishte ndodhur një aksident. Sipas tyre, më 25 shtator ishte thyer një epruvetë që përmbante bakterin shkaktar të murtajës pulmonare. Katër ditë më vonë, 28-vjeçarja ishte shtruar në spital, ku më pas ndërroi jetë.
Tani vjen një tjetër lajm tronditës: Në institut ka dyshime për një rast të dytë të murtajës! Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kërkon më shumë informacion nga shteti i Putinit. Por autoritetet ruse nuk po bashkëpunojnë dhe vazhdojnë të mohojnë se ka shpërthyer një epidemi e murtajës.
A na kërcënon tani një pandemi e re?
Profesori Roman Wölfel (52 vjeç), drejtues i Institutit të Mikrobiologjisë të Forcave të Armatosura Gjermane në Mynih, për momentin qetëson shqetësimet.
“Aktualisht nuk shoh ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për Evropën dhe Gjermaninë”. Arsyeja është se murtaja pulmonare nuk përhapet aq lehtë sa COVID-19 apo fruthi, por kërkon kontakt të ngushtë mes njerëzve.
Eksperti: Nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për Gjermaninë
Edhe profesori Andreas Radbruch (73 vjeç), nga spitali universitar Charité në Berlin, e konsideron të pamundur një epidemi. Në Gjermani prej vitesh nuk janë regjistruar raste të murtajës, as te njerëzit dhe as te kafshët.
“Mundësia që këto një ose dy raste në Rusi të shkaktojnë një epidemi atje ose në Evropë është jashtëzakonisht, jashtëzakonisht e vogël”, thotë imunologu.
Një qëndrim të ngjashëm mban edhe ish-ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach (63 vjeç, SPD). Nëse bëhet fjalë vërtet për bakterin e murtajës, ai “është shumë më pak ngjitës, për shembull, sesa koronavirusi” dhe, nëse trajtohet herët, mund të shërohet, tha ai për BILD.
Sa e rrezikshme është murtaja sot?
Murtaja është ende një sëmundje shumë e rëndë edhe në ditët e sotme, thotë Wölfel. Pa trajtim, murtaja pulmonare mund të përfundojë shpejt me vdekje.
Dallimi i madh nga Mesjeta është se sot sëmundja mund të shërohet. Ajo mund të luftohet në mënyrë efektive me antibiotikë. Nëse diagnoza vendoset shpejt, mundësitë për shërim janë të mira.



