Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar vendimin e ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, për heqjen e subvencionimit për rendimentet e grurit deri në 3,499 kilogramë për hektar, duke e cilësuar atë në dëm të fermerëve.
Sipas Ymerit, vendimi është marrë më 2 tetor 2026, pas aplikimit për Pagesa Direkte dhe pas përfundimit të korrjeve. Ajo ka theksuar se fermerët janë njoftuar vetëm së fundmi, ndërsa vendimi, sipas saj, është ende në fazën e komenteve.
“Shkurt: S’ka subvencione”, ka shkruar Ymeri, duke shtuar se arsyetimi për këtë vendim mbështetet në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Ymeri ka ngritur gjithashtu dyshime për mënyrën e funksionimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), duke pretenduar se mund të ketë interesa që po dëmtojnë bujqit. Ajo ka kritikuar, po ashtu, qasjen institucionale ndaj zbatimit të udhëzimeve administrative.
Deputetja e LDK-së ka bërë thirrje për trajtimin urgjent të çështjes, duke vlerësuar se, në rrethanat aktuale, duhet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare për bujqësinë.



