Një përleshje në një lokal në Tuggen, në kantonin Schwyz të Zvicrës, ka përfunduar me pasoja tragjike. Një 27-vjeçar me shtetësi gjermane ka ndërruar jetë në spital, ndërsa policia ka arrestuar një 42-vjeçar zviceran.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, kur policia mori njoftimin për një përleshje në një ambient eventesh në Tuggen.
Disa patrulla policore mbërritën në vendngjarje, siguruan zonën dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Gjatë përleshjes, 27-vjeçari pësoi lëndime kërcënuese për jetën. Pas ndihmës së parë nga ekipet mjekësore, ai u transportua me helikopter drejt një spitali jashtë kantonit Schwyz.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, i riu ndërroi jetë më vonë nga plagët e marra.
Në lidhje me rastin, policia ka arrestuar një 42-vjeçar me shtetësi zvicerane. Ndërkohë, prokuroria ka hapur hetim penal për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur plotësisht atë që ndodhi.
Deri më tani, motivi i përleshjes dhe rrjedha e saktë e ngjarjes mbeten të paqarta. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e 27-vjeçarit.



