Vetëm 7 vota diferencë në Bërvenicë: Çfarë tregojnë rezultatet para balotazhit?

Në Komunën e Bërvenicës, ditën e djeshme u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, nga të cilat në raundin e dytë, përkatësisht në balotazh, do të garojnë kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, dhe kandidati i koalicionit AKI, Arkin Jahiji. Në zgjedhjet e 18 tetorit, për postin e kryetarit të Bërvenicës garuan gjithsej gjashtë kandidatë, mes të cilëve edhe dy kandidatë të pavarur, shkruan FaktiDitor.info

Nëse i kthehemi retrospektivës, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, në raundin e dytë për këtë komunë garuan kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe ai i VLEN-it. Ndërkaq, vetëm një vit më vonë, vërehet një ndryshim në kampin politik shqiptar, pasi këtë herë koalicioni opozitar AKI do të jetë përfaqësuesi shqiptar në balotazh.

Një tjetër element që bie në sy, njësoj si në zgjedhjet e vitit të kaluar, është fakti se kandidati i VMRO-DPMNE-së kryeson për nga numri i votave, në një komunë ku, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, me rreth 56%.

Sa vota morën kandidatët në zgjedhjet e 18 tetorit?

Nëse analizojmë fillimisht rezultatet në kampin politik shqiptar, vërejmë se Arkin Jahiji, kandidati i koalicionit AKI, ka siguruar 623 vota më shumë se Jakup Huseini i VLEN-it. Ky dallim tregon epërsinë e kandidatit të AKI-së në raport me rivalin e tij shqiptar në garën për kryetar të komunës, shkruan FaktiDitor.info

Ndërkaq, nëse bëjmë një krahasim brenda kampit politik maqedonas, dallimi mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së arrin në 2.238 vota, duke dëshmuar një diferencë të konsiderueshme mes dy partive kryesore maqedonase. Në anën tjetër, dy kandidatët e pavarur, së bashku, nuk kanë arritur të grumbullojnë as 100 vota.

Një tjetër dallim i rëndësishëm vërehet mes dy kandidatëve që siguruan kalimin në balotazh. Kandidati i VMRO-DPMNE-së ka marrë 793 vota më shumë se kandidati i AKI-së, i cili renditet në vendin e dytë. Kjo epërsi përbën një avantazh fillestar për Radiçevskin, por jo domosdoshmërisht një garanci për fitoren përfundimtare.

Duke qenë se në raundin e dytë do të përballen një kandidat maqedonas dhe një kandidat shqiptar, çdo votë merr rëndësi të veçantë, pasi edhe një numër i vogël votash mund të përcaktojë fituesin e garës për drejtimin e komunës.

Sipas përllogaritjeve të bazuara në rezultatet e paraqitura, kandidatët maqedonas kanë grumbulluar gjithsej 3.709 vota, ndërsa tre kandidatët shqiptarë kanë siguruar 3.702 vota. Kështu, diferenca mes dy kampeve është vetëm shtatë vota në favor të kandidatëve maqedonas. Kjo diferencë, ndonëse minimale, mund të marrë rëndësi të veçantë në raundin e dytë, kur mbështetja e elektoratit do të jetë vendimtare për përcaktimin e kryetarit të ardhshëm të Bërvenicës, shkruan FaktiDitor.info

Këto rezultate tregojnë se Bërvenica po shkon drejt një gare të ngushtë dhe të fortë mes dy kandidatëve, të cilët do të përpiqen të mobilizojnë sa më shumë mbështetës, por edhe të tërheqin votat e elektoratit të pavendosur. Në një garë të tillë, ku diferencat janë të vogla dhe pesha e çdo vote mund të jetë përcaktuese, mobilizimi i elektoratit dhe aftësia për të siguruar mbështetje përtej bazës tradicionale partiake mund të bëjnë dallimin mes fitores dhe humbjes.

Bërvenica, rrjedhimisht, pritet të jetë një nga komunat ku rezultati përfundimtar do të përcaktohet nga një garë e fortë politike, ku edhe një votë e vetme mund të ndikojë në përcaktimin e fituesit./FaktiDitor.info