Me 175 km/h në autostradë, kapen dy shtetas serbë në Tabanoc

Dy shtetas të Serbisë janë arrestuar në pikën kufitare të Tabanocit, pasi sistemi “Qyteti i Sigurt” i kishte regjistruar duke lëvizur me shpejtësi marramendëse në tunelet e autostradës Demir Kapi–Gjevgjeli.

Njëri prej tyre kishte vozitur me 169 km/h, ndërsa tjetri me 175 km/h, në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar është vetëm 80 km/h.

Sipas MPB-së, më 18 tetor, rreth orës 19:05, në Tabanoc u arrestua N.Z. (36) nga Serbia, e cila drejtonte një automjet “Mercedes”.

Disa orë më vonë, në orën 22:45, në të njëjtën pikë kufitare u arrestua edhe V.Zh. (58), drejtues i një automjeti “Audi”.

Të dy u shoqëruan në stacion policor nën dyshimin për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, ndërsa pas dokumentimit të rasteve ndaj tyre do të ngrihen kallëzime penale.