Rusia ka nevojë për më shumë ushtarë, por Kremlini shmang mobilizimin e ri

Në ditën e dytë të votimit për zgjedhjet për dhomën e ulët të Parlamentit rus, Aleksandr Glebov, një pastiçier 63-vjeçar, voziti veturën drejt një shëtitoreje buzë lumit Sura, në qytetin e Penzës, në pjesën qendrore të Rusisë, ku doli për një shëtitje.

Disa burra me rroba civile iu afruan dhe, sipas Oksanës, një e afërmeje të tij, e cila kërkoi që emri i saj të ndryshohej për arsye sigurie, i kërkuan dokumentet e identifikimit dhe e bombarduan me pyetje.

“Pse je vetëm? A je i varur nga droga? A po bën shet drogë? Silleshin sikur të ishin policë ose ushtarakë, megjithëse nuk mbanin uniforma”, i tha ajo shërbimit Siberia.Realities të Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, Glebovin e futën me forcë në një makinë dhe e dërguan në një qendër rekrutimi ushtarak, ku e i bënë trysni derisa ai e nënshkroi një kontratë për të luftuar në Ukrainë.

Kur familja mori lajme prej tij, tregoi ajo, ishte në agim të mëngjesit pasues. Ai ndodhej tashmë 600 kilometra larg, në një kamion që po e dërgonte drejt Rostov-on-Don, një qytet në jug të Rusisë që shërben si pikë grumbullimi për operacionet në Ukrainë.

Gati pesë vjet pas nisjes së luftës në shkallë të plotë kundër Ukrainës, ushtria ruse vazhdon të përballet me një problem të përhershëm: i duhen gjithnjë e më shumë njerëz për të luftuar në front.

Numri i të vrarëve është jashtëzakonisht i lartë në të dyja palët. Vlerësimet perëndimore për ushtarët rusë të vrarë në luftë tashmë e tejkalojnë shifrën prej 500.000, ndërsa besohet se rreth dyfishi i këtij numri janë plagosur në luftime. Humbjet e Ukrainës janë më të ulëta në shifra, por më të mëdha në raport me popullsinë e saj më të vogël.

Rasti i Glebovit, i cili u detyrua të nënshkruante kontratë për të luftuar në Ukrainë, nuk është aspak i ri. Qyteti i tij i lindjes, Penza, u bë i njohur për një kohë të shkurtër këtë vit për përhapjen e praktikës së quajtur “autobusizim” , një term që i referohet kapjes së burrave në rrugë, futjes së tyre me forcë në furgonë dhe dërgimit në qendrat e rekrutimit ushtarak. Kjo praktikë ka shkaktuar zemërim te banorët.

Ajo nxjerr në pah edhe metodat e pazakonta që po përdoren dhe masat ekstreme që zyrtarët kanë ndërmarrë për të rekrutuar më shumë ushtarë. Mbi të gjitha, autoritetet duan të shmangin alarmimin e popullsisë duke urdhëruar një tjetër mobilizim, si ai që presidenti Vladimir Putin shpalli në shtator të vitit 2022, kur rreth 300.000 burra u thirrën për të marrë pjesë në luftë.

“Mendoj se po i shfrytëzojnë burimet e fuqisë njerëzore deri në kufijtë e tyre dhe po u drejtohen rezervave, të cilat janë të mjaftueshme”, tha Dara Massicot, eksperte për ushtrinë ruse në Institutin për Paqe Ndërkombëtare, Carnegie, me seli në Uashington.

“Nuk ka nevojë të menjëhershme apo mungesë të personelit ushtarak të përmasave që kishte në verën e vitit 2022”, shtoi ajo.

“Autoritetet e kanë më të lehtë t’i rekrutojnë njerëzit një nga një, përmes frikësimit, mashtrimit, borxheve, punës, shkollës, policisë dhe qendrave të rekrutimit ushtarak”, tha Daria Berg, aktiviste e grupit për të drejtat e njeriut Idite Lesom.

“Mobilizimi i fshehtë nuk ka ndalur. Thjesht, sot nuk duket më si një valë e madhe, por si një rrjet që i tërheq njerëzit gradualisht, përmes mënyrave të ndryshme”, i tha ajo shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë.

Hedhja e një rrjete të madhe për të kapur peshq
Në prag të zgjedhjeve të 18-20 shtatorit për Dumën Shtetërore, dhomën e ulët të Parlamentit rus, u shtuan shqetësimet se Kremlini mund të ishte duke u përgatitur të shpallte një mobilizim të ri.

Grupet që ofrojnë këshilla ligjore për personat që mund të rekrutohen u vërshuan nga kërkesat për ndihmë. Sipas një përllogaritjeje, zyrtarët u detyruan të mohonin mundësinë e një mobilizimi të afërt gati dy duzina herë që nga fillimi i verës.

Megjithëse praktika e “autobusizimit” ka nxitur reagime kundërshtuese në qytete ruse si Penza, rekrutuesit kanë pasur shumë më tepër sukses në joshjen e ushtarëve të rinj duke u ofruar paga dhe përfitime jashtëzakonisht të larta, përfshirë edhe pagesa për familjarët e ushtarëve të vrarë në luftime.

Bonuset për nënshkrimin e kontratave financohen nga një kombinim fondesh federale, përfshirë ato të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe buxhetesh rajonale.

Në disa rajone të largëta, hyrja e këtyre parave ka shkaktuar ndryshime të ndjeshme në ekonomitë lokale.

Janis Kluge, analist në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, me seli në Berlin, i cili përcjell rekrutimin e personelit duke analizuar buxhetet lokale dhe pagesat për vullnetarët e rinj, tha se ritmi i rekrutimit, deri në tetor, kishte mbetur i qëndrueshëm: rreth 1.000 burra në ditë, pak më pak se në vitin 2025.

Muajin e kaluar, rekrutuesit morën 29.900 burra, krahasuar me 31.900 në shtator të vitit 2025, shkroi ai në një analizë të fundit. Në total, nga janari deri në fund të shtatorit, 263.000 ushtarë të rinj u rekrutuan përmes kontratave, krahasuar me 292.000 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Nëse ky ritëm vazhdon, rekrutuesit nuk do ta arrijnë objektivin e caktuar për këtë vit, që është 409.000 ushtarë me kontratë. Megjithatë, ekspertët thonë se numri i rekrutëve është i mjaftueshëm për të vazhduar luftimet në periudhën afatshkurtër, të paktën.

Kluge vuri në dukje edhe një dukuri tjetër: disa komuna u paguajnë bonuse nxitëse individëve ose grupeve që arrijnë të sjellin një numër të caktuar burrash në qendrat e rekrutimit, me forcë ose në mënyra të tjera.

“Mobilizimi me detyrim po ndodh tashmë. Kjo nuk është një politikë e centralizuar e Kremlinit, por më tepër një pasojë e paqëllimshme e delegimit të rekrutimit te nivelet më të ulëta të hierarkisë, ndërkohë që guvernatorët dhe kryetarët e bashkive vihen nën presion gjithnjë e më të madh për të përmbushur kuotat e tyre”, tha ai.

“Qytetet dhe rajonet nuk shqetësohen për mënyrën se si rekrutohen njerëzit, për sa kohë që i përmbushin objektivat e caktuara”, shtoi Kluge.

Vitet e fundit, zyrtarët kanë thjeshtuar dhe modernizuar gjithashtu sistemin kombëtar të regjistrimit ushtarak, i cili u kërkon të gjithë burrave të dorëzojnë të dhënat e tyre personale. Në këtë proces, ata janë mbështetur edhe në sisteme elektronike që funksionojnë paralelisht, si shërbimi i mesazheve Max, i mbështetur nga shteti, dhe portali qeveritar Gosuslugi.

Ky sistem e bën më të lehtë ruajtjen e fluksit të rekrutëve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Të gjithë burrat nga mosha 18 deri në 30 vjeç duhet të kryejnë një vit shërbim ushtarak.

Megjithëse ligji rus ua ndalon autoriteteve dërgimin e rekrutëve të shërbimit të detyrueshëm jashtë vendit ose në luftime, përfshirë ato në Ukrainë, ata shpesh përballen me metoda shtrënguese që synojnë t’i detyrojnë të nënshkruajnë kontrata për të marrë pjesë në luftë, madje edhe përpara se ta përfundojnë vitin e shërbimit të detyrueshëm.

Pas zgjedhjeve për Dumën, rekrutuesit dërguan një valë thirrjesh elektronike, me të cilat burrave u kërkohej të përditësonin të dhënat e tyre personale, thanë aktivistët.

“Në thelb, është sikur të hedhësh një rrjetë të madhe peshkimi në ujë, me shpresën se do të kapësh të paktën disa peshq”, tha Ivan Chuvilyayev, një tjetër aktivist i grupit Idite Lesom.

“Ideja është që të paktën disa nga personat që marrin një thirrje për të përditësuar të dhënat e tyre do të mendojnë: ‘Epo, në rregull, nuk është ndonjë gjë serioze. Do të shkoj në zyrën e rekrutimit dhe do të shoh për çfarë bëhet fjalë’”, tha ai. përcjell Zhurnal.mk .