Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për nxitjen e zhvillimit të inteligjencës artificiale në Gjermani dhe Europë, me synimin për të forcuar konkurrueshmërinë dhe për të reduktuar varësinë teknologjike nga SHBA-ja dhe Kina.
Gjatë Samitit Dixhital të organizuar në Berlin, Merz theksoi nevojën që Gjermania dhe Europa të bëhen më të shpejta dhe më efikase në zhvillimin dhe zbatimin praktik të teknologjive digjitale.
Ai prezantoi një strategji me dy drejtime: në afat të shkurtër, nxitjen e inteligjencës artificiale në industri dhe biznese, ndërsa në planin afatgjatë, forcimin e kërkimeve për modelet e reja të AI.
Një nga objektivat kryesore është rritja e pavarësisë teknologjike përmes bashkëpunimit me vende si Franca dhe Kanadaja, si dhe diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit.
Sipas Merz, inteligjenca artificiale do të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e punës dhe do të rrisë produktivitetin, ndaj zhvillimi i saj nuk duhet penguar nga frika e rreziqeve, por duhet të udhëhiqet nga vlerat njerëzore dhe interesat e sigurisë.
Qeveria gjermane synon që vendi të shndërrohet në një “Komb të Inteligjencës Artificiale” deri në vitin 2030. Sipas planit, deri atëherë të paktën 80 për qind e ndërmarrjeve të mëdha dhe 55 për qind e bizneseve të vogla dhe të mesme duhet të përdorin AI-në.
Gjithashtu, synohet trefishimi i numrit të start-up-eve në këtë sektor dhe rritja e kontributit të inteligjencës artificiale në ekonominë gjermane mbi 10 për qind.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Gjermania rrezikon të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës në garën globale për inteligjencën artificiale.
Sipas raportit të grupit të punës për AI, 12 deri në 18 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të përcaktuar nëse vendi do të arrijë të ngushtojë hendekun teknologjik dhe të forcojë pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare.



