Policët s’kanë kapela, Kurti premton themelimin e një aviokompani kombëtare

Themelimi i një aviokompanie kombëtare të Kosovës po vazhdon të jetë një nga projektet për të cilat kryeministri Albin Kurti ka folur në vazhdimësi.

Për këtë çështje, Kurti foli edhe në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, ku u miratua Buxheti për vitin 2027. Ai bëri të ditur se për herë të parë në buxhet është paraparë themelimi i një kompanie ajrore kombëtare.

“Për herë të parë, me këtë buxhet është paraparë edhe themelimi i aviokompanisë kombëtare, e cila do të shërbejë për më shumë linja për bashkatdhetarët tanë, por edhe si mjet i promovimit të vendit për mërgatën tonë, anekënd aeroporteve ku aeroplanët me logon e shtetit tonë do të aterojnë”, tha ai.

Ndërkaq, kadetët e gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës po përballen me mungesë të pajisjeve dhe elementeve të uniformës, përfshirë edhe kapelat.

Sipas një raportimi të VOX Kosovës, zyrtarëve policorë u është kërkuar që kapelat e tyre t’ua huazojnë kadetëve, në mënyrë që këta të fundit t’i përdorin gjatë ceremonisë së diplomimit.

Kjo situatë vjen pas shtyrjes së ceremonisë së diplomimit, e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 30 tetor. Sipas raportimit, arsyeja e shtyrjes ishte mungesa e uniformave dhe pajisjeve të nevojshme për kadetët.

Ndërkohë, kadetët janë njoftuar se ceremonia e diplomimit pritet të mbahet më 6 nëntor.