Humbja e Trump në zgjedhjet e mesit të mandatit, reagon Kina: Jemi gati të bashkëpunojmë me SHBA-në

Kina ka deklaruar se është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, ku republikanët e presidentit Donald Trump humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Deklarata u bë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, gjatë një konference për shtyp.

“Zgjedhjet e mesit të mandatit janë një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ajo, duke theksuar se Pekini synon të ruajë komunikimin dhe bashkëpunimin me Uashingtonin.

“Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara për të mbështetur dhe zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve, për të forcuar komunikimin, për të menaxhuar siç duhet mosmarrëveshjet, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të ndërtuar një marrëdhënie konstruktive dhe strategjikisht të qëndrueshme mes Kinës dhe SHBA-së, bazuar në parimet e respektit, barazisë dhe reciprocitetit”, vijoi Mao Ning.

Deklarata e Pekinit vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy fuqive të mëdha, të cilat kanë pasur mosmarrëveshje në disa fusha, përfshirë tregtinë dhe politikën ndërkombëtare.