Një grup protestuesish në Teheran, kryeqytetin e Iranit, i kanë vënë flakën një pankarte gjigante ku shfaqeshin presidenti amerikan Donald Trump, zëvendëspresidenti JD Vance, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff.
Ngjarja u regjistrua gjatë një tjetër proteste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit. Në pankartën e djegur, katër figurat politike ishin paraqitur me shprehje të trishtuara në fytyrë.
Pamjet nga Teherani tregojnë momentin kur turma i vë flakën posterit gjigant, në një tjetër shfaqje të pakënaqësisë dhe qëndrimeve kundërshtuese ndaj politikës amerikane dhe asaj izraelite.
Sipas raportimit, episodi vjen në një moment tensionesh të larta politike, ndërsa konflikti në Iran është kthyer edhe në një çështje të debatit të brendshëm politik në Shtetet e Bashkuara.
Trump dhe republikanët, mes tyre edhe JD Vance, kanë lidhur pakënaqësinë e një pjese të elektoratit amerikan me zhvillimet e konfliktit në Iran.



