BE ngre alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri: Probleme me pesticidet, laboratorët dhe AKU-në

Komisioni Evropian ka evidentuar një sërë mangësish serioze në sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), kontrollin e pesticideve, kapacitetet laboratorike dhe rrezikun e korrupsionit gjatë inspektimeve.

Në raportin e progresit për vitin 2026, në kapitullin për sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Brukseli thekson se legjislacioni shqiptar është ende vetëm pjesërisht i përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.

Raporti kërkon reforma institucionale, përfshirë bashkimin e AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe qartësimin e kompetencave të inspektimit.

Shqetësime të veçanta ngrihen për laboratorët ushqimorë, të cilët kanë nevojë për akreditim, metoda të validuara të analizimit dhe kapacitete më të avancuara për të garantuar besueshmërinë e rezultateve.

Komisioni Evropian evidenton gjithashtu mangësi në monitorimin e mbetjeve të pesticideve dhe kërkon më shumë transparencë në rastet kur konstatohen produkte që nuk përmbushin standardet. Po ashtu, Shqipëria duhet të hartojë një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit.

Probleme janë evidentuar edhe në gjurmueshmërinë e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe kontrollin e produkteve me origjinë shtazore.

Një tjetër çështje shqetësuese është rreziku i korrupsionit në inspektimet veterinare dhe fitosanitare. BE kërkon forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në proceset e inspektimit dhe certifikimit.

Raporti nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë reformat dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit për të garantuar sigurinë e produkteve ushqimore dhe për të përmbushur standardet evropiane.

Kursi i Bankës Popullore për sot, 5 nëntor 2026