Policia ka bërë të ditura detaje të reja nga shpërthimi dhe zjarri në një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe u dëmtuan 10 banorë. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i ngjarjes ishte grumbullimi i gazit në një banesë.
Ngjarja e rëndë në Elbasan ka përfunduar me dy viktima. Pas disa orësh kërkimesh intensive, autoritetet kanë gjetur edhe trupin e pajetë të Hamit Ibros, 69 vjeç, pronarit të banesës ku dyshohet se ndodhi shpërthimi.
Trupi i tij u gjet rreth orës 00:40, pas kërkimeve të zhvilluara nga Policia, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimi zjarrfikës.
Ndërkohë, në vendngjarje kishte humbur jetën edhe Hatixhe Berisha, 82 vjeçe. Si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, 10 banorë të tjerë të pallatit mbetën të dëmtuar. Ata morën ndihmë mjekësore në spital dhe më pas u larguan.
Sipas njoftimit të Policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit, ndërsa më pas zjarri është përhapur në objekt.
Në hetime janë përfshirë edhe ekspertët xhenierë të RENEA-s, ndërsa grupi i posaçëm hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe shkakun e ngjarjes.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në pallat, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
BE ngre alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri: Probleme me pesticidet, laboratorët dhe AKU-në



