37-vjeçare shqiptare e dyshuar kryesore e rrjetit të prostitucionit në Paris?

Një 37-vjeçare shqiptare, e dyshuar si një nga figurat kryesore të një rrjeti të organizuar prostitucioni në Paris, ka kërkuar lirimin nga paraburgimi. Autoritetet franceze e akuzojnë për tutorim të rënduar të prostitucionit, trafikim të qenieve njerëzore dhe pastrim parash.

Mariela M., e cila ndodhet në paraburgim që nga shkurti i vitit 2026, u paraqit javën e kaluar para Dhomës së Hetimeve në Paris, ku përmes avokatit të saj kërkoi të lirohej nën masën e kontrollit gjyqësor.

Sipas dosjes hetimore, ajo dyshohet se kishte rol të rëndësishëm në organizimin e aktivitetit të prostitucionit në zonën e Porte de Vincennes, konkretisht në bulevardin Carnot, në distriktin e 12-të të Parisit, gjatë periudhës 2023–2026.

E lindur në Shqipëri dhe pa precedentë penalë, 37-vjeçarja pranon se ushtron prostitucion prej pesë vitesh, por mohon se ka drejtuar rrjetin apo se ka grumbulluar paratë e grave të tjera.

Hetimet nisën nga dëshmia e një gruaje rumune

Sipas raportimit, hetimi nisi pasi Brigada për Luftimin e Prostitucionit mori dëshminë e një gruaje rumune, e cila deklaroi se një pjesë të fitimeve duhej t’ua dorëzonte dy grave që kishin rol mbikëqyrës në aktivitet.

Hetuesit dyshojnë se Peluta M. dhe Mariela M. grumbullonin paratë e disa grave të tjera dhe më pas i transferonin jashtë Francës. Përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve, policia arriti të identifikonte edhe persona të tjerë që dyshohet se ishin të përfshirë në organizimin e rrjetit.

Sipas hetimeve financiare, një pjesë e aktivitetit drejtohej nga Shqipëria, ku dy vëllezër me mbiemrin Z, të njohur më parë nga drejtësia franceze për vepra të ngjashme, dyshohet se kishin rol drejtues. Njëri prej tyre, sipas gjyqtarit relator, vazhdonte të jepte urdhra edhe nga burgu, përmes partneres së tij.

Paratë kalonin edhe përmes Belgjikës

Hetuesit zbuluan gjithashtu një rrjet ndërmjetësuesish në Belgjikë, ku një person i njohur me pseudonimin “Klaudi” dyshohet se kishte për detyrë grumbullimin e parave.

Sipas dosjes, Mariela M. udhëtonte drejt Belgjikës për t’u takuar me të dhe për t’i dorëzuar shuma parash. Ajo dhe Peluta M. përshkruhen nga hetuesit si përgjegjëse të aktivitetit në terren, me detyrë organizimin dhe mbikëqyrjen e prostitutave.

Përgjimet telefonike dhe vëzhgimet kanë ngritur dyshime se Mariela organizonte edhe përdorimin e automjeteve si ambiente për takimet me klientët. Makinat zhvendoseshin vazhdimisht në vende të ndryshme, me qëllim shmangien e vëmendjes së autoriteteve.

Sipas përllogaritjeve të hetuesve, të bazuara në transfertat bankare dhe dërgesat e parave, shuma e përfituar nga Mariela gjatë kësaj periudhe arrin në rreth 128 mijë euro. Vetë ajo kishte deklaruar se fitonte nga 1.000 deri në 2.000 euro në javë.

U arrestua në një hotel, iu sekuestruan 9 mijë euro

Mariela M. u arrestua më 17 shkurt 2026, së bashku me dy gra të tjera, në një hotel në Pantin, në rajonin e Seine-Saint-Denis. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan rreth 9.000 euro para të gatshme.

Para policisë dhe gjyqtarit hetues, ajo ka pranuar se ushtron prostitucion dhe se ka marrëdhënie intime me një person të përfshirë në këtë aktivitet, por ka mohuar se administron prostitutat e tjera, mbledh fitimet e tyre apo kryen transfertat financiare.

Gjykata vendos për vazhdimin e paraburgimit

Në seancën për shqyrtimin e kërkesës për lirim, avokati i saj argumentoi se provat që lidhen me klienten e tij tashmë janë mbledhur dhe se ajo nuk duhet të mbahet në burg në pritje të arrestimeve të mundshme në Belgjikë apo Shqipëri.

Megjithatë, prokuroria kundërshtoi lirimin, duke argumentuar se e dyshuara kishte një pozicion të rëndësishëm në një rrjet të organizuar që gjeneronte fitime të konsiderueshme dhe se ekzistonte rreziku që, nëse lirohej, ajo t’i rikthehej aktivitetit.

Sipas raportimit, gjykata vendosi vazhdimin e paraburgimit të saj.

Kjo është çështja e tretë hetimore që Policia Gjyqësore franceze zhvillon që nga viti 2019 kundër rrjeteve shqiptare të prostitucionit në zonën e Porte de Vincennes. Në një rast të mëparshëm, në vitin 2023, drejtuesi i një rrjeti të tillë ishte dënuar me gjashtë vjet burg pa pezullim të dënimit.

Hetimet ndaj të dyshuarve të tjerë vijojnë, ndërsa Mariela M. prezumohet e pafajshme deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.