Grupi antifeminist pro-rus merr përgjegjësinë për kërcënimet me bomba në Evropë

Një grup antifeminist me origjinë nga Rusia ka marrë përgjegjësinë për dy kërcënime me bomba ndaj fluturimeve në Itali. Mesazhet përmbanin pretendime të rreme për vendosjen e mjeteve shpërthyese në avionë që udhëtonin nga Helsinki dhe Dublini.

Sipas CNN, kërcënimet u dërguan përmes emailit nga një grup që e quan veten “Shteti Mashkullor” (Male State). Mesazhi iu drejtua një kompanie logjistike që bashkëpunon me Aeroportin e Romës-Fiumicino.

Në email pretendohej se mjete shpërthyese ishin vendosur në dy fluturime, njëri nga Helsinki dhe tjetri nga Dublini. Megjithatë, këto pretendime rezultuan të rreme. Një zëdhënës i aeroportit konfirmoi për CNN autenticitetin e pamjes së emailit të publikuar nga televizioni italian SkyTG24.

Një lëvizje e krijuar në Rusi

Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizmin, “Shteti Mashkullor” është një lëvizje mizogjine, e themeluar në Rusi në vitin 2016. Grupi më vonë shprehu hapur mbështetje për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Në vitin 2021, një gjykatë ruse e shpalli organizatën ekstremiste dhe ndaloi veprimtarinë e saj.

Ndërkohë, prej disa ditësh janë raportuar kërcënime të ndryshme ndaj kompanive ajrore dhe mediave në disa vende evropiane. Autoritetet po hetojnë incidentet, ndërsa ende nuk është bërë e qartë nëse të gjitha këto raste kanë të njëjtin autor.

Tronditet Wall Street: Humbje prej 3 trilionë dollarësh brenda një dite, goditen aksionet e inteligjencës artificiale