Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës për rastin e punonjësit të Raiffeisen Bank, i cili dyshohet se është qasur pa autorizim në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe ka shpërndarë të dhënat e tij financiare.
Prokuroria ka konfirmuar se rasti tashmë është pranuar dhe se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme parahetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
“Rasti në fjalë është pranuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme parahetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Express.
Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se për momentin nuk mund të japin informacione të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve.
Banka konfirmoi identifikimin dhe largimin e punonjësit
Rasti u bë publik pasi Komuna e Prishtinës konfirmoi se Përparim Rama do të ndjekë rrugë ligjore për shkeljen e pretenduar të privatësisë së tij financiare.
Sipas Komunës, Raiffeisen Bank e ka njoftuar kryetarin se ka identifikuar punonjësin që dyshohet se është qasur pa autorizim në llogarinë e tij dhe ka shpërndarë të dhëna personale. I njëjti, sipas këtij njoftimi, është larguar nga puna.
Kryetari Rama kishte paraqitur ankesë zyrtare në bankë, duke kërkuar sqarime për mënyrën se si janë qasur dhe shpërndarë të dhënat e tij bankare.
Raiffeisen Bank: Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme
Edhe nga Raiffeisen Bank kanë konfirmuar se ankesa e Përparim Ramës është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore.
“Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente”, thuhet në përgjigjen e bankës për Gazetën Express.
Tashmë, rasti është në duart e organeve të drejtësisë, të cilat pritet të sqarojnë rrethanat e qasjes së paautorizuar dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.
Aksion simbolik pak para diplomimit të policëve të rinj, “Kush i hëngri kapelat”



