Në konkursin për pranimin e 29 kadetëve në Akademinë ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski” janë paraqitur gjithsej 99 kandidatë nga të cilët 46 i kaluan kriteret e përzgjedhjes. Nga numri i përgjithshëm i kandidatëve, dy kanë qenë të përkatësisë etnike shqiptare, një rom, një vllah dhe 95 maqedonas, thekson ministria e Mbrojtjes në reagimin e saj ndaj reagimit të sotëm të BDI-së.
Lidhur me dy kandidatët e përkatësisë shqiptare, ministria thekson se njëri prej tyre është tërhequr nga procedura, ndërsa tjetri sipas listës së renditjes është vendosur në vendin e 43-të.
Ministria reagon ndaj, siç thekson akuzave populiste dhe paushallë nga një parti me prejardhje etnike, duke vlerësuar se ato çojnë në intolerancë ndëretnike në vend të një prezantimi të arsyeshëm të fakteve.
“Që të ekzistojë dhe të vlerësohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është e nevojshme që qytetarët e përkatësisë etnike të aplikojnë për konkurset publike dhe transparente për pranim në Akademinë ushtarake. Në të njëjtën kohë, ne nuk do të devijojmë nga parimi i pranimit të më të mirëve në Armatë, sepse po flasim për personel që është i ngarkuar me atë që është më e rëndësishme për të gjithë ne – sigurinë e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në kumtesë.
Edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në konkurset e Akademisë ushtarake, duke akuzuar këtë parti për manipulim të opinionit dhe përpjekje për ta paraqitur situatën si diskriminim të shqiptarëve vetëm tani që ndodhet në opozitë.
Në reagimin e tij, Shabani rikujton se Talat Xhaferi, gjatë periudhës 2004–-2006, ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e LSDM-së, kohë kur Akademia ushtarake ishte vendosur nën moratorium dhe nuk pranonte studentë të ciklit të parë deri në vitin 2008.
Rang lista preliminare dhe përfundimtare është publikuar në ueb faqen e Akademisë ushtarake.



