Tragjike në Francë: Aksidentohet autobusi me nxënës, dy fëmijë humbin jetën

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë lënduar në një aksident me autobus të premten në mëngjes, në lindje të Francës, pranë kufirit me Zvicrën, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, ka shkruar në një postim në platformën X se dy fëmijë kanë vdekur në këtë aksident.

Prefektura lokale ka njoftuar përmes një deklarate se tre nga të lënduarit janë në gjendje kritike.
Yves Cristin, kryetari i komunës së vogël të Lent, ku ndodhi aksidenti, ka thënë se në aksident ishte përfshirë një autobus shkollor, ndonëse prefektura lokale ka bërë të ditur se bëhej fjalë për një autobus ndërqytetës, raporton Reuters.

Cristin ka deklaruar se nga aksidenti janë prekur 70 persona, ndërsa sipas prefekturës lokale numri i tyre është rreth 40. Komuna ka hapur sallën e saj komunitare për të ofruar ndihmë dhe strehim për personat e prekur nga aksidenti.

“Kam arritur disa minuta pas aksidentit dhe njerëzit ishin në gjendje shoku. Ana e autobusit ishte shqyer dhe, qartazi, personat që ndodheshin në atë anë duhet të jenë lënduar rëndë”, ka thënë Cristin për televizionin BFM TV.

BFM TV ka publikuar një fotografi të një autobusi bardh e kaltër, i cili shihej i anuar në atë që dukej të ishte një kanal anës rrugës, ndërsa një grup njerëzish qëndronin jashtë tij.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, ka bërë të ditur se ishte nisur drejt vendit të aksidentit.