Të paktën tetë fluturime të aeroportit të Pragës në Çeki janë bërë objekt i kërcënimeve për bomba këtë të premte, njoftuan autoritetet e aeroportit.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e aeroportit, Denisa Hejtmankova, për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
“Kanë të bëjnë me fluturimet hyrëse nga Danimarka, Spanja dhe Britania e Madhe. Sa u përket fluturimeve në nisje, kërcënimet përfshijnë fluturimet drejt Holandës, Qipros, Rumanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe”, deklaroi zëdhënësja e aeroportit, Denisa Hejtmankova, për agjencinë AFP.
Ngjarja vjen në një kohë kur disa aeroporte dhe fluturime në Evropë janë përballur gjatë kësaj jave me alarme të rreme për bomba, duke shkaktuar shqetësime dhe vështirësi në transportin ajror.
Autoritetet po trajtojnë kërcënimet, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi autorët apo nëse janë konstatuar mjete shpërthyese.



